Kryeministri Albin Kurti në konferencën e sotme për media, është pyetur edhe rreth çështjes së armatosjes së Serbisë.
“Jemi të brengosur” – ka thënë ai, “jemi të kujdesshëm”, por “nuk frikësohemi!” – ka shtuar në mënyrë të qartë dhe të prerë Kryeministri Kurti.
“E dimë që i kanë 44 baza ushtarake rrotull kufirit me Kosovën, që është kufiri më i gjatë, dhe rrotull i kanë 42 baza ushtarake ofensive, por pavarësisht kësaj, ndonëse ne nuk jemi në NATO, NATO është tek ne” – ka vijuar ai. Sipas tij, prania e NATOS, është argument i mjaftueshëm për të thënë se territori i vendit dhe qytetarët, janë të sigurt.
Për më shumë, ai ka thënë se shteti fqinj po shfaq shenja paniku, me këtë rast:
“Serbia më duket se ndodhet në një lloj paniku kur po e vëren se nuk mund të qëndrojë në 3-4 ulëse njëkohësisht më, po përpiqet të forcohet për vete sepse ndoshta mund të ngelet e vetmuar. Armatosja e vazhdueshme e Serbisë s’është e parrezikshme për rajonin dhe Kosovën, por në anën tjetër, është shprehje e frikës shtyre se mund të ngelin të vetmuar atëherë kur po duket që s’mund të qëndrojnë në disa karrige siç janë mësuar”, sqaroi më tutje kryeministri.
Në fund të kësaj përgjigjeje ai ia kujtoi opinionit publik hapat të cilat i ka ndërmarr qeveria në ngritjen e kapaciteteve të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), duke filluar nga rritja e buxhetit e deri te bashkëpunimet që kjo e fundit i ka pasur me ushtritë aleate./FolDrejt/