Kryeministri i Republikës së Kosovës Albin Kurti, ka folur sot për çështjen e asociacionit, që po cilësohet si një “gacë e nxehtë” në procesin e bisedimeve, shkruan Fol Drejt.
Kryeministri Kurti nuk ka qenë aq konkret kur është pyetur rreth çështjes në fjalë.
Ai është pyetur duke iu referuar takimit të mbrëmshëm me përfaqësuesin special të Bashkimit Evropian Miroslav Lajçak, përkatësisht komentit të tij se “jemi marr vesh që të gjitha marrëveshjet e kaluara (duke e përfshirë edhe atë për asociacionin), duhet të zbatohen plotësisht”, nëse është pajtuar për formimin e tij:
“Diplomacia fluturuese i është bashkangjitur takimeve të nivelit të lartë për propozimin e Bashkimit Evropian, të mbështetur nga Franca, Gjermania dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ky propozim i ka pesë fjali në preambulë dhe dhjetë nene gjithsej, kur e patëm marrur ne atë me datën 9 shtator patëm thënë që: është baze e mirë për diskutimet e mëtutjeshme, është një kornizë e platformë e cila na e mundëson të ecim përpara mirëpo nevojitet një proces negociator i bisedimeve në mënyrë që ai propozim të bëhet marrëveshje ajo çfarë ne theksojmë që në njërën anë janë 33 marrëveshje të Brukselit nga dekada e kaluar dhe nuk ka asnjë marrëveshje e cila ka prioritet ndaj një marrëveshje tjetër, pra nuk ekziston hierarkia e këtyre marrëveshjeve. Ato 33 marrëveshje janë të vendosura në një rrafsh horizontal, ndërkaq në anën tjetër këto 10 nene nuk tolerojnë që një nen atje nga fundi të sillet i pari si parakusht, dhe le të mos harrojmë asnjëherë që marrëveshja duket ta ketë njohjen reciproke në qendër sepse vetëm asisoj e bëjmë normalizimin e plotë të raporteve midis Kosovës edhe Serbisë.”
Kurti është pyetur përsëri nëse kanë presion për formimin e Asociacionit, por ai përsëri nuk ka qenë aq i qartë:
“Ka insistim nga faktorë të ndryshëm ndërkombëtarë që Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe, ashtu siç është nënshkruar më datën 19 prill 2013, e më pastaj edhe i elaboruar në 7 kapituj, me nënshkrimin e 25 gushtit 2015, të theksohet më shumë, por ajo marrëveshje është tashmë e theksuar, sepse është e vetmja marrëveshje nga 33 marrëveshjet e Brukselit që nuk e ka kaluar testin e Gjykatës Kushtetuese. Pra në një mënyrë mund të themi se ajo marrëveshje njëmend është e theksuar, është e theksuar në kuptimin juridik e kushtetues, për shkak se nuk e ka kaluar testin e Gjykatës Kushtetuese, tash procesi negociator do të duhej që të na shpie përpara, unë e respektoj konfidencialitetin e bisedimeve, por po e ritheksoj që asnjë nga 33 marrëveshjet nuk mund të ketë prioritet hierarkik dhe nenet në propozimin e Bashkimit Evropian kanë numra përpara, që do të thotë se kanë renditje.”/FolDrejt/