Kryeminstri i Kosovës, Albin Kurti, ka bërë homazhe tek varri i Ibrahim Rugovës në 17-vjetorin e vdekjes së tij, raporton Fol Drejt.
“Me rastin e 17-vjetorit të vdekjes së ish-presidentit të Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova, nën organizimin e Presidencës, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, bashkë me Presidenten e vendit, Vjosa Osmani Sadriu, bënë homazhe dhe vendosën kurora me lule të freskëta te varri i tij.”, shkruan në njoftimin e Kryeministrisë.
Në deklaratën e tij, Kurti tha se Rugova ishte presidenti i parë i Republikës së parë të Kosovës dhe presidenti i parë i Kosovës së çliruar.
“21 janari është ditë e ftohtë dhe është një ditë në të cilën teksa e përkujtojmë presidentin Ibrahim Rugova, e kujtojmë atë për qëndrimin intelektual, për sjelljen paqësore, për qasjen humaniste, për ndërkombëtarizimin e çështjes së Kosovës dhe për kombëtarizimin e rezistencës civile”, tha në fund Kurti. /FolDrejt/