Tirana për herën e parë po e bën organizimin e Samitit të Procesit të Berlinit.
Në këtë samit po merr pjesë edhe kryeministri i Kosovës Albin Kurti.
Kurti para liderëve rajonal dhe evropianë foli rreth agresionit të Serbisë në Kosovë, më 24 shtator ku u vra polici Afrim Bunjaku.
Ai tha se autorët enden të lirë në Serbi dhe pse publikisht e pranuan përfshirjen e tyre.
“Ky ishte një akt i ligë sponsorizuar nga Serbia, siç tregojnë provat e pakundërshtueshme. Ne kemi konfiskuar mbi 5 milionë euro armatim të sofistikuar dhe municione të prodhuara në Kragujevc dhe Çaçak. Katër herë në dy vitet e fundit Serbia ka sjellë ushtrinë e saj në kufirin tonë”, tha Kurti.
Shefi i ekzekutivit tha se edhe 25 vjet pas fushatës gjenocidale, Kosova kërcënohet me invazion nga Serbia.
“Ky moment na kërkon të reflektojmë dhe të mos e vazhdojmë punën si zakonisht. Një akt i tillë nuk duhet të kalojë pa u ndëshkuar”, tha shefi i qeverisë.
Në këtë organizim po merr pjesë edhe kryeministrja e Serbisë Ana Bërnabiq.