“Zhvillimet e sotme në nivel global na kanë ekspozuar përballë një mori sfidash, ballafaqimi me të cilat kërkon sistem arsimor të fuqishëm. Kosova si shoqëri nuk mund të jetë imune ndaj këtyre sfidave. Në shumicën e rasteve është edhe pasqyrimi brutal i tyre sikurse e patëm rastin me inflacionin”, ka thënë kryeministri Albin Kurti në paraqitjen e aktiviteteve të Agjencisë së Kosovës për Akreditim për vitin 2021 dhe strategjinë e saj 2021-2025.
Ai ka thënë se si qeverisje kanë trashëguar edhe një sistem arsimor i cili është rezultat i një politike publike, që në masë të madhe ka qenë elektorale e shumë pak ose aspak strategjike e vizionare.
“Një sistem, ku interferimet politike, që nga rekrutimet e stafit në të gjitha nivelet, e deri tek ushtrimi i funksioneve të institucioneve të pavarura ekzekutive, siç ka qenë rasti me Agjencinë e Akreditimit, kanë qenë praktikë e stabilizuar”, ka thënë Kurti.
Sipas tij, këto interferime e kanë pamundësuar krijimin e një sistemi të qëndrueshëm arsimor, i cili do ta mundësonte orientimin e qytetarëve dhe rinisë drejt karrierave të qëndrueshme profesionale.
“Në këtë kontekst, kur është fjala për Agjencinë e Akreditimit, ne synojmë që këtë institucion ta bëjmë tërësisht të pavarur për ekzekutimin e politikave arsimore. Interferimet politike në Agjencinë në të kaluarën do të ngelen në të kaluarën”, ka thënë kryeministri Kurti.
Kurti ka rikonfirmuar mbështetjen e plotë për Agjencinë në përpjekjet e saj për t’i adresuar dhe për t’i përmbushur rekomandimet dhe ka shprehur synimin e patjetërsueshëm të qeverisjes për rikthimin në ENQA dhe EQAR.
“Kemi arritje në të bërit e arsimit të lartë më gjithëpërfshirës dhe më të qasshëm, duke hequr tarifat semestrale, por kemi ende rrugë për të bërë, që këtë nivel të arsimit ta bëjmë më atraktiv dhe më konkurrent ndërkombëtarisht”, ka thënë Kurti