Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka shprehur ngushëllime për vdekjen e profesorit, dizajnerit grafik, dhe autorit Shyqri Nimani, për të cilin tha se ishte figura qenësore e fillesave dhe zhvillimit të dizajnit grafik në Kosovë, raporton Fol Drejt.
“Me pikëllim mora lajmin sot për vdekjen e profesorit, dizajnerit grafik, dhe autorit Shyqri Nimanit. Profesor Nimani është figura qenësore e fillesave dhe zhvillimit të dizajnit grafik në Kosovë si fushëveprim, ku ka qenë edhe bartës i proceseve të ngritjes profesionale e arsimore të gjeneratave të reja të kësaj fushe në vend.”, shkroi Kurti në Facebook.
Kurti theksoi se si figurë kozmopolite, ishte nxitësi dhe organizatori kryesor në themelimin e Galerisë Kombëtare të Kosovës, dhe të koleksionit të saj. Autor i shumë veprave mbi dizajnin grafik, tipografinë dhe artin në përgjithësi. Në mesin e shumë kontributeve dhe veprave, profesor Nimani do të mbahet në mend edhe si kaligrafi i deklaratës origjinale të pavarësisë së Republikës së Kosovës që është nënshkruar më 17 shkurt 2008.
“Me shumë kujdes dhe pasion puna e profesor Nimanit ka vazhduar e pandërprerë deri në ditët e fundit të jetës së tij.
Ngushëllime familjarëve, të afërmve dhe gjithë komunitetit kulturor!”, tha tutje Kurti. /FolDrejt/