Kryeministri Albin Kurti edhe një herë ka folur për çështjen e asociacionit dhe pozicionin që është duke e mbajtur Kosova, rreth kësaj çështjeje, shkruan Fol Drejt.
Gjatë ceremonisë hapëse të Forumit Ekonomik me Kroacinë, ai është pyetur edhe një herë për takimin e mbrëmshëm me emisarin Miroslav Lajçak:
“Kemi diskutuar gjatë propozimin e Bashkimit Evropian. Çështja e të drejtave të pakicave, çështja e marrëveshjeve të mëhershme në Bruksel, është përbrenda këtij propozimi të Bashkimit Evropian. Nuk mund ta nxjerrim ‘qerren para kalit’; së pari ‘kali, pastaj qerrja’, pra nuk mund të përzgjedhësh një nen të caktuar, me interpretim të njëanshëm, dhe ta sjellësh para propozimit. Pra unë jam i gatshëm, që të shkoj në Bruksel dhe ta diskutojmë propozimin për të cilin kam thënë qysh në shtator të vitit të kaluar se: është bazë e mirë për diskutime të mëtutjeshme dhe është kornizë/ platformë e përshtatshme për të ecur përpara!”
Sipas Kurtit, ai është për mbrojtjen e lirive dhe të drejtave të komuniteteve, por kjo do të bëhet në pajtim me vetë logjikën e procesit, ku pjesa nuk është më e vlefshme se tërësia:
“Pra nuk mund të flasim për pjesën, pa e hapur tërësinë. E tërësia e siguron normalizimin e plotë, me njohjen reciproke në qendër. Ne mund të diskutojmë, e duhet të diskutojmë, në forume të ndryshme, në takime të panumërta, me akterë nga më të ndryshmit, mirëpo kushtetutshmëria e Republikës së Kosovës dhe pavarësia e shtetit tonë që u shpall para gati pesëmbëdhjetë vjetëve, nuk duron asociacion njëetnik. Kjo është tejet e qartë edhe për ata që nuk janë jurista, për çdo qytetar të Republikës së Kosovës dhe jo vetëm, për çdo diplomat e politikan ndërkombëtar, është e qartë!”
Po ashtu ai tha se është thelbësore që gjithçka të bëhet në pajtim me Kushtetutën e Republikës së Kosovës:
“Ata që kërkojnë asociacion njëetnik, ata kërkojnë ndryshim të Kushtetutës së Kosovës, e unë besoj që për normalizim të marrëdhënieve me Serbinë, duhet të ndryshohet Kushtetuta e Serbisë.”/FolDrejt/