Në tryezën ndërkombëtare vjetore të revistës prestigjioze “The Economist”, e cila po mbahet në Athinë, kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, zhvilloi takim me ish-Sekretarin Amerikan të Shtetit dhe ish-drejtorin e CIA-s, Mike Pompeo.
Në këtë takim u theksua miqësia dhe partneriteti i Kosovës me ShBA-në, nevoja për shtimin e investimeve ekonomike amerikane në Kosovë dhe hapat, që po ndërmerr Kosova për të shtuar sigurinë dhe mbrojtjen.
Kurti e njoftoi Pompeon me të arriturat e Kosovës sa i përket rritjes ekonomike, cilësisë së demokracisë dhe imazhit të Kosovës në botë.
U diskutua edhe situata në Evropë e posaçërisht në Ballkan pas agresionit ushtarak të paprovokuar, ilegal e të pajustifikueshëm të Rusisë mbi Ukrainën. Të dy u pajtuan që Rusia nuk bën kurrsesi ta fitojë këtë luftë, që kontinenti evropian mbrohet më së miri me unitet të brendshëm dhe me urën transatlantike me ShBA-në dhe se Kosova është shembull suksesi i qëndrueshmërisë së popullit të saj dhe i ndërhyrjes së NATO-s.