Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se në Konferencën e Sigurisë në Mynih, dje ka takuar liderë shtetërorë dhe përfaqësues institucionesh nga vendet mike që ishin pjesëmarrës në këtë konferencë, raporton Fol Drejt.
“Në takimin me Kancelarin e Republikës Federale Gjermane, Olaf Scholz dhe ministren për Evropë dhe Punë të Jashtme të Francës, Catherine Colonna, shpreha mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme të Gjermanisë dhe Francës.”, shkroi Kurti në Facebook.
Ai shtoi se raportet bilaterale dhe marrëdhëniet e veçanta ndërmjet Republikës së Kosovës dhe ShBA-ve u ritheksuan në takimin me senatorët amerikan Jeanne Shaheen dhe Chris Van Hollen. Ndërsa me Senatorin Bob Menendez, njëherësh Kryetar i Komisionit të Senatit të Shteteve të Bashkuara për Marrëdhëniet me Jashtë, ka biseduar për partneritetin e ngushtë ndërmjet dy vendeve dhe fuqizimin e mëtejmë të tij.
“Në takimimin me përfaqësuesin e Lartë të BE-së për Punë të Jashtme dhe Politikë të Sigurisë, Josep Borrell dhe Përfaqësuesin e posaçëm të BE-së për Dialogun Kosovë – Serbi, Miroslav Lajčák, diskutuam për procesin e dialogut dhe propozimin evropian, të iniciuar nga Franca dhe Gjermania dhe të mbështetur nga ShBA-të dhe Italia.”, theksoi Kurti.
Tutje, Kurti tha se bashkëpunimi i deritanishëm ndërmjet Qeverisë dhe Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, si dhe mundësitë e reja të bashkëpunimit ishin në qendër të takimit me Presidenten e BERZh-it, Odile Basso. /FolDrejt/