Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka pritur sot në takim Nënsekretarin e Përgjithshëm për Operacionet e Paqes, Jean-Pierre Lacroix, shkruan Fol Drejt.
“Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti është takuar pasditen e sotme me Nënsekretarin e Përgjithshëm për Operacionet e Paqes të Kombeve të Bashkuara, z. Jean-Pierre Lacroix. Kjo ishte vizita e parë e z. Lacroix në vend. Kryeministri e informoi z. Lacroix për arritjet e fundit në vend dhe shprehu mirënjohjen e tij për bashkëpunimin dhe mbështetjen e agjencive të OKB-së në Kosovë.”, shkruan në komunikatën e Zyrës së Kryeministrit
Kurti po ashtu ka folur për mënyrat se si Kosova po punon për përmbushjen e Objektivave të Zhvillimit të Qëndrueshëm të OKB-së. Lidhur me këtë, Lacroix ka përgëzuar Kosovën për përpjekjet e fundit për të përmirësuar gjendjen e të drejtave të njeriut, sundimit të ligjit dhe të drejtave gjinore në vend, duke thënë se rezultatet janë të dukshme. Lacroix tha se Kosova vazhdon ta ketë mbështetjen e plotë të OKB-së për të zhvilluar më tej këto synime demokratike. /FolDrejt/