Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka pritur në takim zëvendëspresidentin e Parlamentit Evropian, Rainer Wieland, me të cilin bisedoi për zhvillimet në Kosovë dhe Evropë.
Në njoftimin e bërë për media thuhet se, kryeministri Kurti e falënderoi Zëvendëspresidentin Wieland për vizitën në Kosovë dhe shprehu mirënjohjen për rolin avokues dhe qëndrimin pozitiv të Parlamentit Evropian në lidhje me liberalizimin e vizave për Kosovën.
Duke biseduar lidhur me zhvillimet e ditëve të fundit në Ukrainë, kryeministri Kurti shprehu vullnetin e Qeverisë dhe theksoi domosdoshmërinë për bashkërendim dhe bashkëpunim të mëtejshëm të ngushtë ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bashkimit Evropian, për të kundërshtuar agresionin e Rusisë, por edhe për t’u përballur me ndikimin e pasojat e mundshme në rajonin tonë.
Ai e njoftoi me vendimin e sotëm të Qeverisë për të ju bashkangjitur partnerëve të Republikës së Kosovës, Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, në kundërpërgjigjen ndaj agresionit ushtarak të Rusisë, duke miratuar një pako të sanksioneve ndaj saj”, thuhet në njoftim.
Më tej, në njoftim thuhet se gjatë takimit u bisedua edhe për mundësitë për zhvillim të qëndrueshëm ekonomik të Kosovës, për të përmirësuar mirëqenien e qytetarëve dhe për të siguruar drejtësi sociale dhe ekonomike.
“Mërgata e Kosovës në shtetet evropiane u potencua nga kryeministri si pjesë integrale për zhvillimin e vendit tonë. U vlerësua sistemi i trajnimit dual dhe përfitimet që mund të ketë Kosova nga ky sistem, përparësitë e të cilit i njeh mërgata jonë nga Gjermania dhe Zvicra”, vijon njoftimi.
Kryeministri theksoi përkushtimin e Qeverisë për të ndjekur një tranzicion të energjisë së pastër dhe për të investuar në atë të ripërtëritshme, si energjia e erës dhe diellit.