Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, gjatë qëndrimit në Delphi, në kuadër të Forumit Ekonomik, është takuar edhe me Përfaqësuesin e Posaçëm të Bashkimit Evropian për Dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, me të cilin kanë diskutuar për takimin e 2 majit në Bruksel, shkruan Fol Drejt.
“Në Delphi, në kuadër të Forumit Ekonomik atje, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, u takua edhe me Përfaqësuesin e Posaçëm të Bashkimit Evropian për Dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak. Ata diskutuan për takimin e radhës me 2 maj në Bruksel dhe për marrëveshjet e dakorduara me 27 shkurt dhe 18 mars. Kryeministri Kurti, theksoi se Marrëveshja Bazike duhet të zbatohet e plotë, pa vonesa dhe pa kushtëzime.”, shkruan në njoftimin e Zyrës së Kryeministrit.
Tutje në njoftim theksohet se në takim është folur edhe për zgjedhjet që u mbajtën në fundjavën e kaluar në katër komunat veriore të Kosovës dhe për rëndësinë e sigurimit të funksionimit normal të institucioneve shtetërore në shërbim të qytetarëve. /FolDrejt/