Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka takuar Drejtorin Rajonal të NDI, Robert Benjamin, me të cilin diskutuan sundimin e ligjit dhe zhvillimin ekonomik, shkruan Fol Drejt.
“Ndër rolet kryesore të Parlamentit është të miratojë ligje që janë në shërbim të qytetarëve.
Lidhur me këtë, gjatë takimit me z.Benjamin, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti theksoi vullnetin e Qeverisë së Republikës së Kosovës të bashkëpunojë me Parlamentin e me ndihmë të NDI të analizojë ndikimin e ligjeve të miratuara në raport me nevojat e qytetarëve, e të krahasimit të tyre ndaj qëllimit për të cilin janë hartuar. “, shkruan në raportin e Zyrës së Kryeministrit.
Në njoftim u tha se transparenca në hartimin, miratimin e pastaj edhe në vlerësimin e ndikimit të politikave është qenësore për Qeverinë. Qëndrimi i këtillë vë në mes qytetarin e Republikës dhe nevojat e tij, kurse orienton Qeverinë të veprojë në pajtim me këto nevoja.
“Gjatë takimit me z. Benjamin, e në prani të përfaqësueses së NDI në Kosovë, znj. Soderberg, përfaqësueses së NDI nga Washington DC znj. Elizabeth Sam e drejtoreshës së programit të NDI në Kosovë, znj. Pranvera Lipovica, Kryeministri Kurti diskutoi lidhur me zhvillimet e fundit në vend, me theks te sundimi i ligjit e zhvillimit të mëtutjeshëm ekonomik.”, thuhet tutje në komunikatë.
Sot gjatë ditës, Kryeministri Kurti ishte folës kryesor në Konferencën për Integritetin e Informacionit të organizuar nga NDI. /FolDrejt/