Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në një takim në Prevallë me kryetarët e nënkryetarët e komunave të Kosovës, diskutoi për “Të drejtat e njeriut, sundimin e ligjit, zhvillimin ekonomik dhe investimet”.
Takimi është organizuar nga zëvendëskryeministrja Emilija Rexhepi, në sesionin e parë të të cilit u diskutua për sundimin e ligjit dhe të drejtat e njeriut, me theks te zbatimi i të drejtave të komuniteteve pakicë.
Kurti shprehu kënaqësinë që së bashku me udhëheqësit e komunave do të diskutojnë tema që kanë rëndësi për shtetin, shoqërinë në përgjithësi dhe qytetarët.
“Deklarata Universale e të Drejtave të Njeriut, mësimet e saj dhe detyrimet që derivojnë nga ajo, mbesin referencë e çdoditshme e jona dhe e punës tonë. Ato na shërbejnë si udhërrëfyes për secilin vendim tonin. E pra, synimi më i mirë për mbrojtjen, garantimin dhe përmirësimin e të drejtave të njeriut për ne është burim i çdo vendimi, si dhe shkak i çdo veprimi”, u shpreh Kurti.
Ai riktheksoi se drejtësia është njëra nga dy prioritetet e qeverisë së tij, përcjell Klankosova.tv.
“E infrastrukturë kyçe e kësaj rruge të duhur është një sistem i drejtësisë i cili duhet të sigurojë e të përkujdeset për aplikim të gjithmonshëm të rendit e të ligjit. Kjo është arsyeja pse drejtësia është njëri nga dy prioritetet tona dhe opinionet e javës së kaluar nga Komisioni i Venecias për dy çështjet më integrale lidhur me të, na treguan se reforma e hartuar nga ana jonë është edhe adekuate edhe e nevojshme”, tha kryeministri Kurti.
Aty folën edhe zëvendëskryeministrja Emilija Rexhepi, ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu si dhe kryetarët e nënkryetarët e komunave.
Zëvendëskryeministrja Rexhepi theksoi domosdoshmërinë e respektimit të të drejtave të komuniteteve pakicë, të drejtave të personave me aftësi të kufizuara, krijimin e kushteve për lëvizje të lirë dhe për punësim.
Ndërkaq, Ministrja Haxhiu kërkoi nga udhëheqësit komunalë angazhim edhe më të madh në zbatimin e ligjit dhe respektimin e të drejtave të njeriut, si edhe parandalimin e ndikimit politik nëpër gjykatat komunale.
Kryetarët e nënkryetarët e komunave e cilësuan të dobishëm takimin dhe temën e diskutimit.
Ata theksuan sfidat dhe problemet që hasin gjatë zbatimit të ligjit, projektet e ndryshme me organizata joqeveritare dhe ambasadat e huaja për përmirësimin e kushteve për komunitetet pakicë, nevojën për reforma administrative, problemet me mungesën e noterëve nëpër komuna e të tjera./klankosova.tv/