Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka deklaruar se 22 vite pas luftës dhe dy vjet pas plotësim-ndryshimit të Kodit të Procedurës Penale, i cili mundëson gjykimin në mungesë të kriminelëve të luftës, hetimi dhe gjykimi i krimeve të luftës ende mbetet çështje e heshtur e institucioneve dhe e sistemit tonë të drejtësisë.
Kurti shkroi në Facebook se sot u mbushën dy vjet prej kur Kuvendi i Republikës së Kosovës pati ndryshuar Kodin e Procedurës Penale, duke mundësuar kështu gjykimin në mungesë të kriminelëve të luftës.
“22 vite pas luftës, e dy vjet pas këtij plotësim-ndryshimi, hetimi dhe gjykimi i krimeve të luftës ende mbetet çështje e heshtur e institucioneve dhe e sistemit tonë të drejtësisë. Duke pasur prioritet adresimin e krimeve të kryera gjatë luftës, Qeveria jonë ka bërë sërish ndryshimet e nevojshme për të lehtësuar punën e institucioneve të drejtësisë për gjykimin në mungesë të kriminelëve të luftës. Jemi duke punuar edhe në rritjen e numrit të prokurorëve brenda Prokurorisë Speciale. Ndërkaq, me themelimin e Institutit për krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë, do të kemi më në fund dokumentim të qartë e të plotë mbi krimet e Serbisë në vendin tonë. Kosovës i nevojiten prokurorë aktivë e të mençur, dhe gjykatës efikasë e të ditur. S’kemi kohë për të humbur”, ka shkruar ai.