Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, do të shkojë së shpejti në vizitë te ish-krerët e UÇK-së, që janë duke u mbajtur në Hagë.
“Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, së shpejti do të shkojë në vizitë”, theksoi Kurti.
Kurti ka folur edhe në lidhje me krerët e UÇK-së që janë duke u mbajtur në Hagë, duke thënë se janë duke u mbajtur padrejtësisht, përcjell Klankosova.tv.
Ai theksoi se nuk beson në “formulimin ndërmarrje e përbashkët kriminale”.
“Së pari nuk besoj në formulimin ndërmarrje e përbashkët kriminale, ky është pretendim i prokurorisë, të cilin unë nuk e besoj, së dyti kur thuhet ndërmarrje e përbashkët kriminale, nga marsi i viti 1998, kur ne e kemi epopenë e UÇK-së, kjo e bën edhe më të pabesueshëm këtë etiketë dhe së treti u zgjat paraburgimi shumë. Së shpejti bëhet një vit e gjysmë në paraburgim, edhe unë kam qëndruar shumë, edhe në kohën e okupimit të Serbisë dhe pasluftës, kur ishim si robër lufte”, është shprehur Kurti në RTK.
“Tash situata është bërë edhe më e rëndë për shkak se Evropa është në rrezik, kemi kryetarin e kuvendit të Serbisë prorus, i cili përditë flet kundër Kosovës, mohon gjenocidin serb dhe kemi ish-kryetarin e Kosovës, që është në burg, si pjesë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, shtoi ai.