Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është deklaruar nëse ka thyer parimet e tij me darkën e mbrëmshme me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq, referuar deklaratave të dikurshme se është kundër negociatave me Serbinë.
Ndryshe nga herët e mëparshme, kryeministri Kurti sot u shpreh se shumë vite ka theksuar se nuk është në parim kundër dialogut, por sipas tij, ishin kundër dialogut pa parime, njofton klankosova.tv.
”Unë edhe mbrëmë si kryeministër i Republikës së Kosovës, kam përfaqësuar vullnetin e popullit, kam mbrojtur interesat e shtetit dhe gjithnjë duke pasur për dysheme dhe tavan kushtetutshmërinë dhe ligjin e Kosovës. Pavarësisht se a ka darkë apo jo, pavarësisht se çfarë darke është, unë i këtillë jam dhe njësoj ndjehem”.
”Me shumë përgjegjësi por detyrën që mbajë, por në të njëjtën kohë edhe krenari për këtë përgjegjësi që më është besuar. E kemi theksuar tashmë e shumë vite, që ne nuk jemi në parim kundër dialogut por nuk duam dialog pa parime”.
Për kryeministrin kosovar, Albin Kurtin, parim del të jetë barazia e palëve në tryezën përballë presidentit serb, Alekandar Vuçiq.
”E një ndër parimet e dialogut, është barazia e palëve. Në atë darkë nuk kemi pasur gjella të ndryshme”.
”Pra, ka qenë barazia e palëve, dhe i kemi diskutuar temat në dritën e takimit të 13 majit midis kryenegociatorëve, zëvendësit tim Besnik Bislimi dhe zotri Petkoviqit, nga ana tjetër”.
”Më 13 majit shpresoj që përfundimisht do t’i kemi marrëveshjet edhe për zgjidhje reciproke sa i përket targave të automjeteve, edhe sa i përket çështjes së mospagesës së faturave për energji në veri të Kosovës edhe po ashtu nevojës për të përshpejtuar çështjen e zbardhjes së fatit të të pagjeturve të të zhdukurve me dhunë”.
”Darka e mbrëmshme, ishte darkë pune, e organizuar nga kancelari Olaf Scholz, me ç’rast e falënderoj atë për kohën dhe përpjekjet e tij europiane dhe demokratike për t’i normalizuar raportet mes Kosovës dhe Serbisë në mënyrë që ato të jenë të mira e fqinjësore”.