Sot kryeministri Albin Kurti u takua me Ministren gjermane të Mbrojtjes, Christine Lambrecht, me të cilën tha se diskutuan për shumë çështje, ndër to për siguri, liberalizim vizash, anëtarësim të Kosovës në organizata të ndryshme, si dhe për dialogun me Serbinë.
“Biseduam për mbështetjen që mora nga Kancelari Olaf Scholz dhe ministrja e Jashtme gjermane, Annalene Baerbock, për aspiratat tona për anëtarësim në organizatat ndërkombëtare, si për Këshillin Evropian, ku planifikojmë të aplikojmë së shpejti, si dhe për liberalizim e vizave për qytetarët e Kosovës”, tha Kurti në konferencën e përbashkët për media, transmeton Klankosova.tv.
Kurti tha se ata po ashtu biseduan për shqetësimet për siguri në rajon dhe Evropë.
“Duhet të flasim sa më shpesh dhe hapur për aspiratat tona të sigurisë, si për shembull anëtarësimi në mekanizma të sigurisë së përbashkët. Diskutuatuam se si Gjermania është njëra ndër partnerët tanë që ka ndihmuar me trajnime e pajisje në ndërtimin dhe zhvillimin FSK-së, dhe ne e mirëpresim përkrahjen e mëtejshme”, u shpreh tutje Kurti.
I pari i Qeverisë tregoi se diskutuan edhe për përgatitje për aplikim dhe pranim të Kosovës në Partneritetin për Paqe, dhe organizata të tjera, specifikisht në Kartën e Adriatikut në A5.
“Folëm për progresin në këtë 1 vit të qeverisjes dhe përpjekjet për a fuqizuar sundimin e ligjit. U pajtuam që krimi dhe korrupsioni janë faktorët kryesor të rrezikimit të sigurisë kombëtare të një shteti”.
“Biseduam edhe për procesin e bisedimeve me Serbinë dhe ritheksova se dialogu duhet të jetë parimor për të sjellë normalizim të plotë të marrëdhënieve, me një marrëveshje ligjërisht të obligueshme, me njohjen reciproke në qendër të vëmendjes”.