Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, të enjten dërgoi ftesë për takime tre liderëve të subjekteve opozitare në Kuvendin e Kosovës, Enver Hoxhajt të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Lumir Abdixhikut të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), dhe Ramush Haradinajt të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK).
Në njoftimin e zyrës së kryeministrit thuhet se takimet planifikohet të mbahen javën e ardhshme dhe “do të jenë në shërbim të bashkërendimit të spektrit politik për çështje me interes të Kosovës”.
Në muajin qershor pritet të mbahet një takim mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian.
Bashkimi Evropian ka paralajmëruar se takimi i parë mes kryeministrit të Kosovës, Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq pritet të ndodhë para datës 22 qershor, dhe në këtë mënyrë të shënohet edhe rifillimi i dialogut.
Dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian, ka nisur dhjetë vjet më parë. Ky proces ka për qëllim normalizimin e plotë të marrëdhënieve mes dy shteteve.
Më 30 prill, zyrtarë të Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, parti këto politike opozitare në Kuvendin e Kosovës, i kanë thënë Radios Evropa e Lirë se procesin e dialogut politik ndërmjet Kosovës dhe Serbisë do ta përcjellin me kujdes, por nuk kanë thënë nëse zyrtarët e tyre do të jenë pjesë e delegacionit të Kosovës në dialog.
Nga ana tjetër, Grupi për Ballkan (BPRG), Qeveria e Kosovës dhe Ambasada e Norvegjisë, tashmë kanë nënshkruar një memorandum mirëkuptimi, i cili përcakton modalitetet për angazhimin e ekspertëve të jashtëm për procesin e dialogut me Serbinë dhe agjendave tjera që ndërlidhen me dialogun.