Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se në takimin që pati të hënën në Bruksel, bashkë me presidentin serb, ka shkuar atje për marrëveshje finale, ndryshe prej presidentit serb, Vuçiq, i cili kishte shkuar vetëm për çështjen e targave.
“Presidenti i Serbisë kishte ardhur në Bruksel jo për propozimin franko-gjerman por për çështjen e targave. Më 18 gusht në takimin që kemi pasur ishin dy pika të rendit të ditës, pika e parë korniza e përgjithshme e marrëveshjes dhe pika e dytë me çështjet aktuale”, ka thënë kryeministri Kurti.
“Unë e mbështeta strukturën aktuale të takimeve sepse liderët shtetërorë thirren për të bërë marrëveshje e madhe e finale. Unë nuk jam as komdant policie, as shef kadastri, as zyrtar dogane që të merrem me gjithfarë çështje teknike të cilat dalin përgjatë bisedimeve. Ne jemi shtet me institucione përkatëse të cilat kanë shumë profesionistë të zot që i zhvillojnë këso lloj bisedimesh. Unë shkoj atje për marrëveshjen finale ndërkombëtarisht e ligjërisht të obligueshme për normalizimin e plotë të marrëdhënieve me njohjen reciproke në qendër”, ka shtuar ai tutje./FolDrejt/