Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, zhvilloi takim virtual me kongresistët nga Grupi për Çështje shqiptare në Kongresin amerikan, Ritchie Torres, Darrell Issa dhe Robert Aderholt.
Kryeministri e falënderoi kongresistin Torres, njëherit bashkëkryesues i Grupit për Çështje shqiptare në Kongresin amerikan, dhe kongresitët për avokimin e tyre për Republikën e Kosovës, dhe vlerësoi deklaratat publike në mbështetje të anëtarësimit të Kosovës në NATO dhe Bashkim Evropian.
“Merita të mëdha për suksesin e Kosovës kanë mbështetësit e fortë në Kongresin Amerikan”, tha kryeministri Kurti, duke shtuar se Kosova ka fatin e mirë që tani ka edhe kongresistët nga Grupi i Çështjeve shqiptare si aleatë në Kongres.
Kryeministri Kurti theksoi se ka një sërë fushash në të cilat mund të thellohet e zgjerohet bashkëpunimi në interes të Kosovës, duke veçuar avokimin për anëtarësimin e Kosovës në Bashkimin Evropian dhe NATO, si dhe për rritjen e investimeve amerikane në Kosovë.
Kongresistët amerikanë ritheksuan se Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk kanë aleat më të madh se Kosova në Evropë, dhe është koha që Republika e Kosovës të pranohet në NATO.