Zyra e Kryeministrit njoftoi se i pari i Qeverisë, Albin Kurti, ka zhvilluar një bisedë telefonike me Këshilltarin e lartë të Departamentit amerikan të Shtetit, Derek Chollet, raporton Fol Drejt.
“Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka zhvilluar sot një bisedë telefonike me Këshilltarin e lartë të Departamentit amerikan të Shtetit, Derek Chollet, si vazhdimësi e mirëmbajtjes së një komunikimi të rregullt, veçanërisht tani në prag të takimit të së hënës në Bruksel.”, thuhet në raport.
Sipas njoftimit, Kryeministri i ka konfirmuar Cholletit qëndrimin e tij për propozimin evropian si bazë të mirë për bisedimet e mëtutjeshme drejt normalizimit të marrëdhënieve. Ndërsa sa i përket marrëdhënieve normale dhe të fqinjësisë së mirë, Kryeministri Kurti ka theksuar se përveç njohjes reciproke në qendër të marrëveshjes, duhet t’i konsiderojmë edhe të drejtat e pakicave kombëtare.
“Kryeministri falënderoi z. Chollet për mbështetjen përgjatë procesit të dialogut dhe vëmendjen e vazhdueshme të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, e posaçërisht të z. Chollet personalisht. Gjatë kësaj bisede, z. Chollet u njoftua nga Kryeministri që sot në Kosovë, bashkë me 12 gazetarët ukrainas, kemi shënuar njëvjetorin e agresionit duke përkujtuar viktimat por edhe luftën e drejtë çlirimtare të popullit ukrainas.”, thuhet në fund të njoftimit. /FolDrejt/