Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, zhvilloi sot një bisedë telefonike me sekretarin e përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg.
Kurti e njoftoi Stoltenberg-un se qytetarët e Kosovës janë informuar mirë për masat në ardhje, se masat janë plotësisht në përputhje me ligjet dhe Kushtetutën e Kosovës, si dhe që zbatimi i tyre është koordinuar me bashkësinë ndërkombëtare.
Nën masën e re të kalimit kufitar në vendkalimet kufitare të Kosovës, më 1 gusht, deri në ora 18:00 kishin kaluar 2 mijë e 521 qytetarë me dokumente identifikimi nga Serbia. Për këtë procedurë të re kanë pritur mesatarisht vetëm 20 sekonda, pasi gjithçka është digjitalizuar nga institucionet e Kosovës. E njëjta procedurë në vendkalimet serbe zgjatë nga 10 minuta deri mbi një orë.
Tutje, Kurti e informoi Stoltenberg-un se mediat e kontrolluara nga Qeveria e Serbisë kanë zbatuar një fushatë dezinformimi gjatë muajit të fundit, duke u përpjekur të ndërtojnë një narrativë të rreme dhe negative për këto masa në ardhje.
“Është vërtetuar tashmë se këto fushata dezinformuese po ndihmohen nga shteti rus, në përpjekjen për të destabilizuar Ballkanin”, tha kryeministri.
Stoltenberg e siguroi Kurtin për angazhimin dhe bashkëpunimin e NATO-s dhe KFOR-it për ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në Kosovë dhe në rajon./21Media