Roberta Metsola është zgjedhur Presidentja e re e Parlamentit Evropian, në vend të David Sassoli-t, i cili ndërroi jetë disa ditë më parë.
Metsola, anëtare e grupit të krahut të djathtë EPP nga Malta, ishte mes katër kandidatëve për këtë pozicion, së bashku me Sira Rego të Spanjës (radikalja e majtë), Kosma Zlotoëski e Polonisë (ECR, Euroskeptikët) dhe Alice Bah Kuhnke e Suedisë (të Gjelbërit), dhe u zgjodh me 458 vota pro.
Lexo edhe: Jeta e David Sassoli, nga gazetaria në krye të Parlamentit Europian
Të katërt kandidatët shpalosën kandidaturat e tyre para kolegëve eurodeputetë në Strasburg të martën për të pasuar Sassoli-n, i cili ndërroi jetë më 11 janar pasi ishte duke luftuar një sëmundje të rendë dhe mandati i të cilit përfundoi këtë javë.
Metsola është eurodepute që nga viti 2013 dhe nënkryetar e Parlamentit që nga viti 2020. Ligjvënësja konservatore së fundmi fitoi vëmendje pasi mori detyrën e Sassoli-t, i cili mungoi në sallë për disa javë për shkak të sëmundjes.
Por nëna e katër fëmijëve ka marrë gjithashtu kritika nga disa prej kolegëve të saj për pikëpamjet e saj kundër abortit, të cilat mbahen gjerësisht në Maltë, vendi i fundit i BE-së ku aborti është ende plotësisht i paligjshëm.
E vetëdijshme për rezervat që ka ngjallur për këtë çështje, ajo siguroi se nëse zgjidhet, “detyra e saj do të jetë të përfaqësojë qëndrimin e Parlamentit”, përfshirë edhe të drejtat seksuale dhe riprodhuese. /abcnews.al/