Kryeministri i ri i Malit të Zi është zgjedhur shqiptari Dritan Abazoviç. Po kush është Dritan Abazoviç? Ai lindi më 25.12.1985 në Ulqin. U rrit në qytetin e lindjes, ku e përfundoi shkollën fillore dhe gjimnazin. Gjatë shkollës së mesme themeloi grupin rinor të Komitetit të Helsinkit për të Drejtat e Njeriut, i cili për fokus të veprimtarisë kishte pajtimin e të rinjve në zonat post-konfliktuoze të ish-Jugosllavisë. Në vitin 2004, Abazoviç ndoqi studimet ne Fakultetin e Shkencave Politike në Universitetin e Sarajevës.
Titullin politolog i diplomuar e fitoi tre vjet më vonë, duke përfunduar fakultetin katërvjeçar në afat rekord për vetëm dy vjet e shtatë muaj. Ishte studenti më i mirë i gjeneratës, si dhe fitues i Medaljes së Artë dhe Mirënjohjes së Artë të Universitetit të Sarajevës.
Studimet e magjistraturës i regjistroi në vitin 2007 në Universitetin e Malit të Zi, në degën e marrëdhënieve ndërkombëtare në Fakultetin e Shkencave Politike. Disertacionin e doktoratës në degën e teorisë politike, me temë “Politika globale – aspektet etike të globalizimit” e mbrojti në vitin 2019 në Fakultetin e Shkencave Politike në Sarajevë.
FUNKSIONET
Nënkryetar i Qeverisë së Malit të Zi 2020 – Kryetar i Këshillit për Luftë Kundër Korrupsionit në Nivel të Lartë 2021 Kryetar i Këshillit për të Drejtat e Fëmijës 2021 – Shef i Byrosë për Koordinim Operativ 2021 – Kryetar i Komisionit për Sistem Politik 2021 – Deputet në Kuvendin e Malit të Zi 2012 – 2020
KARRIERA POLITIKE
Dritan Abazoviç u përfshi mjaft herët në jetën politike të Malit të Zi. Ishte themelues i partisë politike qytetare Mali i Zi Pozitiv në maj të vitit 2012. Në zgjedhjet parlamentare të të njëjtin vit, Mali i Zi Pozitiv fitoi shtatë mandate në Kuvendin e Malit të Zi.
Abazoviç ishte deputeti më i ri në Parlamentin malazez, e pas kësaj edhe njëri ndër deputetët më aktivë në Kuvend. Mirëpo, në vitin 2014 erdhi deri te largimi i qëndrimeve në mes Abazoviçit dhe udhëheqjes së partisë dhe ai së bashku me shumicën e anëtarëve lëshoi Malin e Zi Pozitiv dhe në Kuvendin e Malit të Zi veproi si deputet i pavarur. Në fillim të vitit 2015 themeloi URA-n, lëvizjen qytetare integraliste politike. Në zgjedhjet parlamentare, të cilat në Mal të Zi u mbajtën në vitin 2016, URA ishte pjesë e “Koalicionit të Madh – Çelësi”. Abazoviç u rizgjodh deputet në Kuvendin e Malit të Zi. Mbahen mend grindjet e tij të hapura me deputetët dhe liderin e partisë në pushtet, Partisë Demokratike të Socialistëve, kur për shkak të aferave të shumta kërkoi dorëheqjen e Kryeministrit të atëhershëm të Malit të Zi, Milo Gjukanoviç.
Në Kongresin e lëvizjes URA, i cili u mbajt në prill të vitit 2017, Abazoviç u zgjodh kryetar, post të cilin e mban edhe sot. Është përfaqësuesi i parë i një populli pakicë, i cili u zgjodh në krye të një partie qytetare në historinë e jetës parlamentare të Malit të Zi. E afirmoi konsiderueshëm partinë në planin ndërkombëtar dhe rajonal, ndërsa vlen të përmendet se një nga sukseset më të rëndësishme në karrierën e tij politike është fakti që në korrik të vitit 2020, në Kongresin e të Gjelbërve të Evropës, URA është bërë partia e parë opozitare në Malin e Zi të pavarur, e cila u bë pjesë e ndonjërës nga familjet e partive europiane. Në mesin e korrikut të vitit 2020, URA i prezantoi opinionit platformën “E zeza në të bardhë”, e cila tuboi njerëzit mendimlirë dhe subjektet si CIVIS, Forumi i Bokës dhe Partia e Drejtësisë dhe Pajtimit.
Ky program nënkuptoi disa pika kyçe për përmirësimin e standardit jetësor të të gjithë qytetarëve të Malit të Zi. Disa nga këto pika janë: krijimi i shtetit të së drejtës dhe beteja pa kompromis kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, reforma e sistemit ekonomik, sistemin e arsimit dhe sistemin shëndetësor, si dhe mbrojtja e mjedisit jetësor dhe zhvillimi i qëndrueshëm. Abazoviç u zgjodh bartës i listës “E zeza në të bardhë”, e cila morri pjesë në zgjedhjet parlamentare të cilat u mbajtën në fund të gushtit të vitit 2020. Gjatë fushatës parazgjedhore, foli shpesh për idetë që avokojnë, si dhe për strategjitë të cilat dëshirojnë t’i zbatojnë nëse fitojnë besimin e qytetarëve. Synimi i politikës së përfaqësuar nga Abazoviçi është Mali i Zi qytetar, evropian dhe ekologjik./FolDrejt/