“Ai është quajtur ‘kasap’ që nga ditët e Luftës së Dytë Çeçene, e më pas të atyre në Aleppo të Sirisë,” tha për Aleksandr Dvornikov, gjenerallejtënant Ihor Romanenko, ish-zëvendës shefi i shtabit të përgjithshëm të forcave të armatosura të Ukrainës.
Sipas Al Jazera-s, kohët e fundit është raportuar se Dvornikov ishte emëruar si komandant suprem i forcave ruse në Ukrainë, transmeton Fol Drejt.
Ai ishte shquar për mizoritë e tij në kohën kur komandonte një divizion rus të pushkëve motorikë që sulmuan Groznin në fund të vitit 1999 dhe në fillim të vitit 2000.
Në vitin 2015, Putin e vuri Dvornikovin në krye të forcave ruse në Sirinë e shkatërruar nga lufta. Pasi e mori komandën, ai ia doli ta shpëtonte administratën e presidentit sirian Bashar al-Assad nga rrënimi dhe mori përsipër betejën për Alepon.
Pikërisht në Alepo duket se ka përdorur taktikat e Groznit, me ç’rast dhjetëra mijëra sirianë u vranë dhe qyteti historik u shndërrua në një gërmadhë që digjet.
“Atë nuk e ndalon asgjë. Ai i qëndron qasjes së vjetër sovjetike dhe më pas ruse – nëse ka forca, ato duhet të përqendrohen dhe të përdoren për të shkatërruar gjithçka”, tha Romanenko.
Dvornikov ka një reputacion të keq në perëndim, ndërsa ndodhet në listën e zezë të Bashkimit Evropian (BE).
Të bëmat e tij në rajonin e Çeçenisë, tash republikë në kuadër të federatës ruse, si dhe në Siri, ia kanë ngritur gradat te Putini. Zyrtarët ukrainas prandaj presin një ashpërsim të mëtejmë të luftës, pasi që Dvornikov njihet si i tillë./FolDrejt/