UEFA ka shpalosur finalistët për çmimet e futbollistit dhe trajnerit të vitit për sezonin 2022-23, shkruan AA, transmeton Fol Drejt.
Sipas njoftimit nga UEFA, pas votimit të bërë nga trajnerët e klubeve pjesëmarrës të Ligës së Kampionëve, Ligës së Evropës dhe Ligës së Konferencës sezonin e kaluar, si dhe gazetarët nga vendet e ndryshme, janë përcaktuar listat me nga 3 kandidatë.
Për çmimin futbollisti i vitit do të garojnë golashënuesi norvegjez i Manchester Cityt, Erling Haaland, ylli argjentinas i cili u trasferua nga Paris Saint-Germain në Inter Miami, Lionel Messi dhe ylli belg i Manchester Cityt, Kevin De Bruyne.
Ndërkaq për çmimin trajneri i vitit do të garojnë Josep Guardiola (Spanjë – Manchester City), Simone Inzaghi (Itali – Inter) dhe Luciano Spaletti (Itali – Napoli).
Fituesit e çmimeve do të shpallen në ceremoninë e hedhjes së shortit të fazës së grupeve të UEFA Ligës së Kampionëve 2023-24 në Forumin Grimaldi në Monaco më 31 gusht.