Komisioni për përzgjedhje të kandidatëve për anëtarë të Bordit Drejtues të Fondit të Kursimeve Pensionale të Kosovës sot ia ka propozuar Kuvendit 5 kandidatë për anëtarë profesionalë të këtij bordi, raporton Fol Drejt.
Emrat e kandidatëve të propozuar janë Emanuel Bajra, Shpresim Vranovci, Mimoza Mustafa, Cyril Demaria-Bengochea dhe Trim Shala.
Në njoftim thuhet se Komisioni për përzgjedhje të kandidatëve për anëtarë të Bordit Drejtues të FKPK-së, i përbërë nga Guvernatori i përkohshëm i BQK-së, Bashkim Nurboja (kryesues), Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, dhe Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca, sot ia ka propozuar Kuvendit për emërim 5 kandidatë për anëtarë profesionalë të Bordit Drejtues të FKPK-së”.
“Si për pozitën e anëtarit me përvojë në përfaqësimin ose këshillimin e punonjësve apo përfaqësuesve të tyre ashtu edhe për pozitën e anëtarit me përvojë në përfaqësimin ose këshillimin e punëdhënësve, nuk ka qenë e mundur të përzgjidhen së paku tre kandidatë që kishin dorëzuar dokumentet e kërkuara dhe përmbushur kërkesat e specifikuara në konkurs. Andaj, proceset përkatëse të përzgjedhjes do të duhet të rishpallen”, thuhet në vazhdim të komunikatës. /FolDrejt/