Ende nuk ekziston dyshim se dikush nga të punësuarit në Drejtorinë e Doganave ka ndihmuar gjatë importit të duhanit në Luboten, tha drejtori i Drejtorisë së doganave, Gjoko Tanasoski. Para dy javëve, Drejtoria e policisë financiare dhe dogana kanë sekuestruar 12 tonë duhan në Luboten i cili është importuar në mënyrë jo legale.
“Sipas njohurive që i kemi deri më tani, nuk kemi konstatuar keqpërdorim të detyrës zyrtare. Megjithatë, nëse gjatë hetimit zbulohet se kush e ka bërë këtë, ne do të veprojmë sipas procedurave të brendshme të Drejtorisë së doganave”, deklaroi drejtori i Drejtorisë së Doganaev të Maqedonisë së Veriut, Gjoko Tanasoski.
Tanasoski tha se nuk ka konstatuar se në Doganë është bërë lëshim dhe se më shumë institucione janë kyçur në importin e duhanit në vend.
“Ne vetëm kontrollojmë dhe nëse na i dorëzojnë të gjitha dokumentet, ne japim miratim. Nuk flasim për kontrabandim klasik. Andaj ju them se kontrabandimi nuk është bërë në vendkalimin kufitar. Sasitë e duhanit janë importuara nga kompanitë dhe pastaj gjethet e duhanit janë keqpërdorura dhe shndërruara në duhan të prerë”, tha Gjoko Tanasoski, drejtor i Drejtorisë së Doganave.
Sot Dogana njoftoi se ka sekuestruar 16 e gjysmë tonë cigare dhe 13 tonë duhan. Cigaret janë konfiskuara në Tabanocë, në hyrjen me Serbi ndërsa duhani në vendkalimin Bogorodicë. Bëhet fjalë për cigare nga Kina “Ashima llakshëri sajz” dhe “Marbël de luks”. Kundër kryerësve janë dorëzuara padi penale. Për një vepër të këtillë penale është parashikuar dënim me burg nga 1 deri në 10 vjet. Nëse duhani dhe cigaret kanë përfunduar në tregun e Maqedonisë, buxheti është dëmtuar për 1 milion euro, për shkak se bëhet fjalë për mallra akcize.