Në një kohë që ka nisur procesi i riorganizimit nga Komisioni i Rithemelimit, duket se PD ende nuk po e gjen gjuhën për t’u bashkuar.
Deputeti Flamur Noka akuzon Enkelejd Alibeajn se nuk do bashkimin e demokratëve, të cilin e cilësoi si një person i marrë peng.
“A mundet që të gëzojë karrigen e kryetarit të grupit parlamentar një deputet, kushdoqoftë ai që hedh në gjyq partinë e tij me qëllimin e vetën për t’i frytrë përçarjes dhe për të mbajtur gjallë frymën e saj? Kjo është arsyeja që deputetët i kërkuan deputetit Alibeaj të tërhiqte padinë. Të gjithë janë kundër qëndrimit përçarës të Enklejed Alibeajt. Pengjet bëjnë punën e tyre, demokratët janë në rrugën e tyre”.
Duke iu referuar raportit të përvitshëm të Departamentit të Shtetit për të drejtat e njeriut në botë, Noka akuzoi qeverinë.
“Vërteton më së miri të gjitha shqetësimet, denoncimet dhe akuzat që PD dhe opozita kanë ngritur ndaj kësaj qeverie. A ishin shqiptarët të lirë të zgjidhnin qeverinë që donin? Departamenti i Shtetit në këtë raport thotë jo. A është sistemi i drejtësisë i pavarur? Raporti thotë jo. Presioni politik, frikësimi, korrupsioni e penguan gjyqësorin të funksiononte plotësisht”,ka thënë Noka.
Për këtë arsye Noka tha se demokratët duhet të bashkohen për t’u përballur me qeverinë./tvklan.al/