Fitim Dika
Rajoni i Maqedonisë njihet si gjeostrategjik dhe sipas Bismarkut kush sundon Maqedoninë do sundojë Ballkanin. Andaj shumë Fuqi Botërore prej kohësh janë përpjekur për të sunduar këtë pjesë qendrore të Ballkanit. Deri tani ky vend ka ndryshuar shumë emra:Maqedonia Demokratike Federale, Republika Popullore e Maqedonisë, Republika Socialiste e Maqedonisë, Republika e Maqedonisë , Ish Republika Jugosllave e Maqedonisë dhe mbase prej nesër Republika e Maqedonisë së Veriut. Në vijim një analizë e shkurtër nga antikiteti.
Kontesti i emrit mes Shkupit dhe Athinës ndodhet në momentet decizive dhe mbase nëser në këtë kohë do ketë marrë fund ose në të kundërt, do na duhet edhe mijëvjeçarë tjera histori për të mbetur e pazgjidhur çështja.
Përkundër që dhjetëra-mijëra protestues janë mbledhur më parë në Shkup dhe sonte (24 janar 2019) në Athinë, nesër në ora 14.30 pritet që parlamenti grek ta ratifikojë Marrëveshjen e Prespës me sëpaku 152 vota “për” nga 300 ulësa sa ka kuvendi grek.
Megjithatë 70 përqind e popullit grek kundërshtojnë ratifikimin e marrëveshjes.
“Ne nuk duam të jemi përgjegjës për pagëzimin e një shteti pranë dyerve tona me emrin Maqedoni,” tha Mihalis Patsikas, një fermer ullinjsh dhe ish trajner në gjimnaz, që ka ndihmuar në organizimin e 15 protestave në Greqinë veriore të quajtur ‘Makedoni’. “A është ndokush duke na kërcënuar ne? Le të na tregojë qeveria. Jemi ne populli që do i kundërvihemi çfarë do lloj kërcënimi. Nuk kthehemi mbrapsht. Grekët çdoherë kanë ditur ti kundërpërgjigjen armikut.”
Greqia dhe ish republika jugosllave e Maqedonisë kanë shpeshtuar takimet nga janari 2018 për të gjetur një zgjidhje të pranueshme për emrin. Në kohën kur në Shkup protestohet për të mos pasur ndryshime kushtetuese, në Greqi protestohet për të mos u përdorur termi “Maqedoni” në emrin e ri të fqinjit verior.
Histori versus politikë
Rreth 2000 persona protestuan në Pella, ku arkeologët kanë filluar punimet për gërmimin e 400 hektarëve tokë – aty ku mendohet se fshihen edhe 6 hektarë të pallatit mbretëror të Filipit dhe djalit të tij Aleksandër.
“Në antikitet, Maqedonia ishte një sipërfaqe që sot korrespondon me provincën veriore greke,” thotë Stephen Miller për “Al Jazeera“, profesor i arkeologjisë në Universitetin e Kalifornisë, Berkeley. “Aty ka një dallim gjeografik, gjeologjik: një vargmal që ndan atë nga rajoni i Shkupit. Rajoni ku ndodhet tani Shkupi, në kohët antike quheshte Paionia. Ishte mbretëri. Nuk dijmë shumë për atë.”
Më tej Miller shton se babai i Aleksandrit, Filipi, mposhti mbretërinë e Paionisë dhe mori në zotërim këtë mbretëri. Një nga aleatët e Aleksandrit për pushtimin e Persisë ishin edhe paionët.
Kur jemi te paionët, prestigjiozja britanike “Financial Times” në qershor 2017 botoi një artikull sesi e shihte zgjidhjen e kontestit të emrit mes Athinës dhe Shkupit.
“Për shkak të rëndësisë vitale për t’u arritur stabiliteti në Ballkan, unë sugjeroj që emri i ri duhet të jetë “Paeonia”. Banorët duhet të jetë shumë krenar me këtë emër, pasi për dallim nga Maqedonia, Paionët kurrë nuk njohën besnikërinë ndaj Mbreti të Madh të Persisë gjatë periudhës 512 deri 496 p.e.s.,” shkruan Malcolm Spencer nga Universiteti i Manxhesterit, për “FT”.
Megjithatë Miller mendon se maqedonasit antikë merrnin pjesë në lojërat olimpike greke, të cilat ishin të hapura vetëm për grekët.
“Dhe gjuha e maqedonasve antikë ishte greqishtja, sot në Maqedoni flasin gjuhë sllave.”
Shkatërrimi i Perandorisë Osmane dhe lakmia për “Maqedoninë”
Në dekadat e fundit të Perandorisë Osmane pati ngritje të nacionalizmit mes serbëve, bullgarëve, grekëve dhe shqiptarëve. Siç konfirmon edhe Ferit Pashë Vlora në letrat që shkruante me Sulltanin Abdulhamid 2, Perandoria Osmane e kishte ndaluar termin “Maqedoni” dhe në vend të saj duhej të përdorej termi “Rumeli”. Kjo pasi “Maqedonia” ngrente akoma lakminë e tre shteteve të sapoformuara të Bullgarisë, Serbisë dhe Greqisë që kërkonin pushtimin e kësaj zone.
Gjithsesi, në 1912-13 Perandoria Osmane de fakto u shkatërrua. Me Marrëveshjen e Bukureshtit Greqia rrëmbeu 51 përqind të Maqedonisë, Serbia 39 përqind, kurse Bullgaria vetëm 10 përqind.
Në vitet vijuese vetëm Greqia përdori termin Maqedoni për territorin e saj verior. Bullgaria quajti pjesën e saj perëndimore si Pirini, kurse Serbia si Serbia Jugore.
Titoja është ideatori për krijimin e Maqedonisë në Jugosllavi
Edhepse pas Luftës së Parë Botërore Maqedonia e sotme quhej si Serbia Jugore, kjo do të ndryshonte pas forcimit të komunistëve.
Një identitet për maqedonasit u krijua gjatë Internacionales Komuniste në 1937, shkruan media gjermane “Neues Deutschland”. Dhe në të vërtetë me gjithçka çfarë duheshte: himnin, mitet, flamurin dhe natyrisht gjuhën. Maqedonishtja vlente si gjuhë bullgare, por kjo u reformua përmes Titos duke krijuar standardin e saj si gjuhë e veçantë më vonë edhe me alfabetin e saj të kodifikuar qirilic. Slavisti Ivan Lazarov, i cili jep mësim në Universitetin e Shkupit, citon kolegun e tij gjermano-hebrej, Franz Rosenzveig (1886-1929): “Gjuha është më shumë sesa gjaku.”
Këtë e dinte edhe jo -filologu, Josip Broz Tito, i cili më pas me krijimin e Bllokut të Painkuadruarve me Naserin, Nehrun dhe Sukarnon, u kthye ndër njerëzit më të popullarizuar në botë. Pas vdekjes së Titos, shteti i Jugosllavisë do shpërbëhej dhe ku Maqedonia fitoi pavarësinë e saj. Dhe normalisht me gjuhën e saj.
Nga emri i shtetit maqedonasit përvetësuan Aleksandrin e Madh, babain e tij Filipin e Dytë dhe nënën e tij Olimpia, që janë vendosur në Shkup në kuadër të projektit qindra-miliona euro dhe provokativ jo vetëm për shtetet fqinje, por edhe për popullsinë shqiptare, përcjell albinfo.ch. shkrimin e “Neues Deutschland”.
Ngjashëm mendon edhe arkeologu Miller, që Maqedonia e sotme u “krijua në 1944 nga Tito me qëllimin e vetëm për të aneksuar më vonë Selanikun dhe që të kishte dalje në detin Egje. Ky qëllim është i gjallë akoma,” thotë ai për “Al Jazeera”.
Edhe njëherë për rolin e Stalinit dhe komunistëve grekë
Përkundër shtetit grek, në Internacionalen e Shtatë të Komunistëve në 1937, Josef Stalini mbështeti krijimin e një “kombi të unifikuar dhe të pavarur maqedonas” për të ribashkuar grekët, bullgarët dhe serbët në territoret që ata luftuan në 1913.
Serbia Jugore zyrtarisht do emërtohej ‘Makedonija’ vetëm në 1946 pas ambicieve të Stalinit. Interesante është se komunistët grekë e mbështetën idenë e Maqedonisë (sllave) dhe gjatë Luftës Civile në Greqi 1946-49, Jugosllavia do mbështeste me armë dhe materiale komunistët me idenë se Selaniku dhe Maqedonia Greke duhej të aneksohej nga Maqedonia Jugosllave, përcjell foldrejt.com.
Por, prej 1944 sekretari i shtetit amerikan Edvard Stettiniues e kuptoi kërcënimin komunist dhe u dërgoi një telegram gjithë misioneve diplomatike amerikane.
“Qeveria amerikane i konsideron si demagogji të pajustifikueshme bisedimet për “kombin maqedonas”, “atdheun maqedonas” ose “ndërgjegjësimi kombëtar maqedonas”, si një mundësi shfrytëzimi i komunistëve për të sulmuar Greqinë.
Për këtë shumë grekë mendojnë se Josip Broz Tito (keq)përdori sllavo-maqedonasit për idetë e tij ekspansioniste në Selanik dhe se dizajni i tyre mental nuk mund të ndryshojë nga ADN-ja e shtetit të ri.
Me ndarjen e Maqedonisë nga Jugosllavia grekët shfaqin përsëri frikën e hegjemonisë komuniste. Por sot, kryeministrat Zoran Zaev dhe Aleksis Cipras kanë vendosur një zgjidhje që sllavo-maqedonasit dhe greko-maqedonasit të krijojnë identitete të ndara.
“Kufij artificialë’ dhe irredentizmi
Përveç komunistëve jugosllavë që kanë pasur ide për të pushtuar Selanikut, nuk mbetet pas edhe politika greke.
Ministri i jashtëm grek Antonis Samaras (më vonë edhe kryeministër) në 17 janar 1992 do deklaronte se “këta kufij artificialë” duhet të bien dhe të “lejoni vëllezërit maqedonas të dy anëve të bashkohen”.
Këta janë disa probleme rajonale, të njohura prej kohësh në Ballkan. Por tashmë mbetet mundësia e fundit, që të zgjidhet kontesti i emrit dhe ti hapet rruga integruese Maqedonisë dhe të krijohet një mundësi e mirë për paqen afatgjate në rajon. Nëse sot jo, atëherë mbase duhet të presim edhe ndonjë mijëvjeçar tjetër për të gjetur zgjidhjen?
Çfarë do mendonte Aleksandri i Madh sikur do i shikonte gjithë këto zhvillime për Maqedoninë antike….?/Foldrejt.com