Lufta e Ukrainës përfundimisht e ka konfirmuar paradigmën e luftërave të së ardhmes, atë të përplasjeve epike të teknologjive dhe inteligjencës artificiale. Stërvitja, disiplina dhe guximi i ushtarëve nuk do të jenë domosdo vendimtare për fitore në fushëbeteja…
Nga Korab Blakaj
“…qëllimi i nisjes së luftës është gjithmonë të arrish në një pozicion më të mirë nga i cili të nisësh një luftë tjetër”. “1984”
Presidenti rus Putin gjatë takimit të tij me studentët rusë në Yaroslavl në shtator 2017 pat deklaruar:
“Inteligjenca artificiale është e ardhmja, jo vetëm për Rusinë, por për të gjithë njerëzimin. Ajo vjen me mundësi kolosale, por edhe me kërcënime që vështirë mund të parashikohen. Kushdo që bëhet lider në këtë sferë do të bëhet sunduesi i botës” .
A ishte kjo deklaratë e tij para 6 vitesh paralajmërimi i Luftës së Ukrainës dhe përplasja e pashmangshme e Rusisë me Perëndimin?
Sa imponuese ishte gara e posa filluar teknologjike me IA dhe kompjutimit kuantik për luftën e Ukrainës, gjegjësisht përplasjen e Rusisë dhe aleatëve e saj me SHBA-në dhe Perëndimin?
Lufta e Ukrainës përfundimisht e ka konfirmuar paradigmën e luftërave të së ardhmes, atë të përplasjeve epike të teknologjive dhe inteligjencës artificiale. Stërvitja, disiplina dhe guximi i ushtarëve nuk do të jenë domosdo vendimtare për fitore në fushëbeteja. Ai që prezanton teknologji superiore në teatrin e betejës do të jetë ngadhënjimtar. Lufta e Ukrainës konfirmoi se Rusia duhet të bëjë shumë më shumë në këtë drejtim dhe sigurisht që do të fokusohet në zhvillimin dhe avancimin e mëtutjeshëm me ritme të përshpejtuara në IA dhe robotikën ushtarake për të arritur paritet me Perëndimin.
Mbetët për t’u parë nëse robotët rus të luftës, IA me komponentët e saj gjatë sulmeve të tyre në fushëbetejat e se ardhmes, zhurmshëm do të turren me thirrjen tradicionale të betejave ruse “Uraaaaaa!” si një jehonë e sakrificave dhe flijimeve të panumërta dhe të paarsyeshme të ushtarëve rusë gjatë pushtimeve dhe asgjësimeve të vendeve dhe popujve fqinjë. Bazuar në traditën e tyre të përgjakshme historike, përpjekja do të bëhet që shpirti, fryma ruse, mundësisht të programohen për marshime drejt fitoreve dhe pushtimeve të ardhshme.