Sot, në Kuvendin e Republikës së Kosovës është konstituuar Komisioni Ad-Hoc për Reformën Zgjedhore.
Abelard Tahiri nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK), ka folur në cilësinë e kryetarit të Komisionit, duke u shprehur optimist për hapat që pritet të ndërmerren.
Adnan Rrustemi nga Lëvizja Vetëvendosje (LV), është shprehur i kënaqur për themelimin dhe fillimin e punës së komisionit:
“Mendoj që është një lajm i mirë themelimi i këtij komisioni dhe fillimi i punës”, ka thënë Rrustemi.
Edhe Avdullah Hoti nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LD), i ka dhënë disa rekomandime:
“E patëm bërë një tabelë, nja pesë gjashtë faqe ku i kemi listuar të gjitha rekomandimet për misionet ne e ndryshme monitoruese të zgjedhjeve, edhe i kemi në rekomandime që kërkojnë ndryshime të rregullores së KQZ-së” – ka thënë ndër të tjera Hoti, duke premtuar se lista me rekomandime do të zgjerohet edhe më tej.
Kërkesa për reforma zgjedhore, nuk është aq e re, mirëpo deputetët e këtij legjislacioni, përkatësisht anëtarët e zgjedhur për këtë komision, u shprehën të bindur që ato do të përfundojnë me sukses brenda mandatit të tyre./FolDrejt/