Në Kuvendin e Kosovës të hënën (28 mars) nuk është miratuar propozimi për formimin e Komisionit Hetimor parlamentar për menaxhimin e krizës energjetike nga Qeveria e Kosovës.
Për themelimin e këtij Komisioni votuan 23 deputetë të opozitës, kurse kundër votuan deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje.
Një hetim i tillë parlamentar për menaxhimin e krizës energjetike po shihet si i nevojshëm nga njohësit e çështjeve politike.
Albert Krasniqi nga “Demokracia Plus”, ka thënë se llogaridhënia nuk është e lidhur domsdoshmërisht me formimin e komisioneve hetimore, por duhet të kërkohet edhe në mënyra të ndryshme, në mënyrë që më u siguru që buxheti i shtetit ka shkuar sipas procedurave dhe është i arsyeshëm.
Sa i përket komisioneve hetimore, ai thotë se partitë në pushtet gjithmonë kanë tendenca me ik nga një kontroll prej opozitës.
“Komisioni hetimor është një prej çështjeve që partitë në pushtet gjithmonë kanë tendenca me ik nga një kontroll prej opozitës. Por nëse opozita nuk i ka votat e mjaftueshme nuk mund të kërkojë hetim parlamentar. Nëse janë 1/3 e nënshkrimeve të deputetëve atëherë komisioni hetimor themelohet me automatizëm prej partive opozitare dhe jo atyre që janë në pushtet. Kështu që nëse nuk janë votat që kërkohen me ligj atëherë edhe hetimi nuk mund të bëhet, pasi nuk është parë e arsyeshme nga deputetët”, theksoi ai.