Në mbledhjen e mbajtur sot nga Kryesia e Kuvendit, u mor vendim nga kryparlamentari Konjufca që mbledhja e radhës në Kuvend të zhvillohet ditën e enjte, shkruan Fol Drejt.
Fillimi i seancës të enjten pritet të nisë me deklarimet jashtë rendit të ditës, për ta vazhduar më pas me pyetjet parlamentare.
Seanca do të vazhdojë me shqyrtimin e parë të Projektligjit për sanksionet e shёnjestruara kundër shkelësve të huaj të të drejtave të njeriut, Projektligjit për Anti dopingun dhe atij për edukimin në fëmijërinë e hershme.
Gjatë kësaj seance pritet edhe formimi i Komisionit Ad-hoc për përzgjedhjen e kandidatëve për dy anëtarë të Komisionit të Pavarur të Mediave, nga radhët e komunitetit shqiptar.
Pas përfundimit të seancës së re, Kuvendi do t’u rikthehet shqyrtimit të pikave nga seancat e papërfunduara. Në mbledhjen e sotme Kryesia, konform përgjegjësive të saj shqyrtoi edhe çështje të tjera nga fushëveprimtaria e Kuvendit. /FolDrejt/