Deputetët e Kuvendit të Republikës miratuan në parim Projektligjin për Byronë shtetërore për verifikimin dhe konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme, projektligj ky i cili është në funksion të zhvillimit dhe konsolidimit të shtetit të së drejtës. Ky projektligj përmban dispozita materiale dhe procedural ku përcaktohet konfiskimi me bazë civile (pa dënim), transmeton Fol Drejt.
Me këtë Projektligj do të krijohet një mekanizëm shtesë dhe i nevojshëm në luftimin e Korrupsionit. Ky mekanizëm do të bëjë verifikimin e pasurisë së personave zyrtarë dhe në rastet e mospërputhjes së pasurisë dhe të hyrave, agjencia do i propozojë Gjykatës konfiskimin e asaj pasurie të pajustifikueshme.
Siç dihet tashmë, ky projektligj ka marrë dritën e gjelbër edhe nga Komisioni I Venecias me disa rekomandime për përmirësimin e tij, ku në mes të dy leximeve secili rekomandim do të trajtohet dhe do të përkthehet në dispozita ligjore. Në këtë mënyrë do të kemi një Ligj I cili do të luftojë korrupsionin përmes konfiskimit të pasurisë me bazë civile dhe do të jetë në përputhje me standardet ndërkombëtare dhe kushtetuese.
Me miratimin në parim të këtij Projektligji, Qeveria e Republikës së Kosovës ka përmbushur njërin nga prioritetet kryesore ndaj luftimit të krimit të organizuar dhe korrupsionit./FolDrejt/