76 deputetë kanë votuar PRO, aq edhe sa ishin në kuvend, duke i përfshirë edhe ata të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), shkruan Fol Drjet.
Ishte Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati ai i cili u shpreh se projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Skemat pensionale të financuara nga shteti njëherë e përgjithmonë e rregullon çështjen e skemës pensionale.
“Është një projektligj, i cili merr parasysh periudhën që prej kohës së largimit apo vendosjes së masave të dhunshme apo largimit të dhunshëm nga puna e deri më datën 1 janar 1999, e cila periudhë për këdo që është larguar nga puna njihet si stazh për hir të përllogaritjes së plotësimit të kushtit prej 15 vitesh, ndërsa skema parciale kontributive që rregullohet me këtë projektligj dhe që shtohet në ligjin bazik pastaj mundëson që ata që kanë kontribuar të paguhet konform viteve për aq sa kanë kontribuar në Fondin Pensional”, theksoi ai.
Po ashtu ai tha se impakti financiar vjetor me këtë projektligj parashihet të jetë diku 60 milionë euro, por që nga ky projektligj do të përfitojnë rreth 70 mijë pensionistë.
Në anën tjetër Kryetari i Kuvendit Glauk Konjufca, kërkoi që ky projektligj të shqyrtohet e pastaj të sillet sërish në Kuvend sipas afateve./FolDrejt/