Deputetët e Kuvendit kanë votuar sot për shkarkimin e Presidentit Ilir Meta.
Kuvendi i Shqipërisë u mblodh në seancë plenare për të shqyrtuar projektvendimin “Për miratimin e raportit përfundimtar të Komisionit Hetimor të Kuvendit “Për hetimin e shkeljeve të rënda kushtetuese nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë” si dhe shqyrtimin e projektvendim “Për shkarkimin nga detyra të Presidentit të Republikës për shkak të shkeljeve të rënda””.
Pas diskutimeve nga deputetët, Kuvendi miratoi me 104 vota pro, 7 kundër dhe 3 abstenime shkarkimin e Presidentit Ilir Meta, raporton Atsh, transmeton FolDrejt.com.
Në raportin prej 96 faqesh, Komisioni Hetimor ka renditur shkeljet e rënda të Kushtetutës nga Meta.
“Nga procesi hetimor dhe arsyetimet që pasqyrohen më sipër në këtë raport rezultoi se
Presidenti ka kryer një sërë shkeljesh kushtetuese, me të cilat Presidenti ka cenuar rolin dhe pozitën e tij kushtetuese si Kreu i Shtetit dhe përfaqësuesi i unitetit kombëtar.
Aktet e Presidentit në shkelje të parimit të shtetit të së drejtës, mosrespektimi prej tij i të
drejtave dhe lirive të njeriut, veprimet në kundërshtimet me politikën e përgjithshme shtetërore në marrëdhëniet me jashtë, shkeljet e parimit të ndarjes dhe balancimit të pushteteve, cenimi i pavarësisë funksionale të organeve të pavarura dhe atyre shtetërore, mungesa e respektimit të rendit juridik, qëndrimet e njëanshme apo të paekuilibruara të Presidentit, veçanërisht ato për nxitje dhune, humbja e rolit neutral të tij si Kreu i Shtetit, që nuk përfshihet në lojën e përditshme politike, por duhet të qëndrojë mbi palët dhe të sigurohet për funksionimin demokratik të institucioneve, janë të gjitha veprime që ia kanë humbur Presidentit atributet e Kreut të Shtetit dhe përfaqësuesit të unitetit të popullit”, theksohet në raport.
Në konkluzionet e raportit theksohet se “nga aktet e administruara në këtë proces hetimor dhe siç arsyetohet në këtë raport vërtetohet se për kryerjen e akteve që përbëjnë shkelje të Kushtetutës, Presidenti nuk ka pasur ndonjë qëllim të justifikuar, me këto shkelje Presidenti ka cenuar të drejtat e njeriut, marrëdhëniet shoqërore, politike sensitive dhe të rëndësishme që mbrohen nga Kushtetuta, Kodi Penal dhe legjislacioni shqiptar në fuqi; Presidenti ka kryer shkeljet kushtetuese në mënyrë të përsëritur dhe aktet që përbëjnë shkelje kanë qenë konsistente, shkeljet kushtetuese të konsumuara nga Presidenti kanë pasur ndikim negativ në funksionimin e shtetit dhe në sferën sociale, politike dhe në ekonominë e vendit, sjellja e Presidentit ndaj shkeljeve kushtetuese është në kundërshtim të hapur me përgjegjshmërinë, vetëpërmbajtjen, seriozitetin, maturinë dhe korrektësinë e qëndrimeve që duhet të shfaqë një përfaqësues i lartë i shtetit, që respekton parimet e shtetit të së drejtës dhe sundimit të ligjit, të cilit Kushtetuta i ka veshur atributet e përfaqësuesit të unitetit të popullit.