Kuvendi i Kosovës nuk i ka miratuar rekomandimet e partive opozitare, që kanë të bëjnë me masat kufizuese kundër COVID-19. Nga 64 deputetë sa ishin të pranishëm në seancë, kanë votuar 62 deputetë – 21 ishin për dhe 41 kundër.
Gjatë seancës së jashtëzakonshme lidhur me situatën epidemiologjike me Covid-19 në Kosovë, opozita në Kosovë e ka akuzuar Qeverinë për masat e fundit kundër përhapjes së koronavirusit dhe se nuk e ka menaxhuar si duhet situatën me pandeminë.
Qeveria e Kosovës i ka arsyetuar masat e reja duke thënë se kanë për qëllim ngadalësimin e rritjes së numrit të rasteve me koronavirus, pasi që kapacitetet spitalore nuk do të mund të përballonin një fluks të madh të hospitalizimeve.
Seanca e Kuvendit është mbajtur në një kohë kur numri i të infektuarve me Covid-19 ka shënuar rekord të rasteve të reja.
Më 26 janar, pas testimit të 16,307 mostrave, 4,397 prej tyre kanë rezultuar pozitivë, kurse më 27 janar Kosova ka regjistruar gjashtë viktima nga Covid-19, një prej tyre i grup-moshës 0-9 vjeçe, si dhe 3,917 raste të reja me të infektuar.