Dyherë Liridon Krasniqi rrezikonte daljen nga karriera profesioniste. Ndërkohë ai ka krijuar statusin e super yllit. Jo në Europë, por te tifozët aziatikë të Malejzisë. Dikur luante për Bajern Mynihun, FC Nürnberg dhe 1860 Mynih, kurse pas disa barrierave administrative ai rrezikoi vërtet karrierën e tij. Megjithatë shpresa vdes e fundit dhe kur mjegullat e zeza pushtojnë gjithë qiellin, prite ndokund daljen e diellit.
Në 2015 ai mori ftesë nga klubi malejzian Kedah ku për 108 lojë shënoi 38 gola. Tashmë 27 vjeçari nga Kosova po kthehet në një superyll për gjithë vendasit e Malejzisë dhe përkundër ligjevë të ashpra të këtij vendi për emigracionin, ai së shpejti mund të marrë edhe pasaportën dhe të luajë për fanellën e Malejzisë.
Ndaj këtij shkëlqimi të futbollistit shqiptar, ka shfaqur habi edhe media gjermane “ran.de” e cila e ka intervistuar.
“Çdo vendim ka anën e vetë. Nëse shoh në të kaluarën do ndryshoja vetëm 20 përqind të vendimeve të mia. Jo më shumë. Kjo pasi në themel çdoherë më pas kam kthyer përsëri në rrugën e vërtetë. Por për karrierën time, hapi im drejt Azisë ishte vendimi më i mirë,” thotë Krasniqi, përcjell foldrejt.com. “Menjëherë në Malejzi u përshtata dhe u ndjeva si në shtëpi.”
Krasniqi në moshën 18 vjeçare nënshkroi një kontratë me çekët e Slavia Prag, por ai nuk u pagua. Për këtë arsye u largua dhe për shkak të ligjeve të FIFA u dënua me dy vjet qëndrim larg fushave. Gjatë kësaj kohe ai kishte punuar si mjeshtër ndërtimi. Por kurrë nuk humbi shpresën se një ditë do i kthehej fushave.
“Kisha nevojë për para dhe andaj punoja si mjeshtër ndërtimi. Por kurrë nuk humba shpresën. Futbolli ishte dhe është gjithçka për mua. Një ditë e dija se do largohej pezullimi i FIFA. E prisja këtë moment duke u stërvitur gjithë kohës,” tha Krasniqi përcjell foldrejt.com.
Jetoj si Mesi dhe Ronaldo
Qëllimi i Krasniqit është që të inspirojë njerëzit me talentin e tij. Në themel ai ia ka arritur qëllimit, pasi sot gjashtë fëmijë janë emëruar me emrin e Liridonit.
“Historia ime mund ti nxjerë nga një situatë e rënduar të rinjtë dhe t’u jap një motivim,” thotë Krasniqi më tej, veçanërisht duke ju referuar të rinjve shqiptarë dhe gjermanë. Ai qindpërqind do shkruajë një libër autobiografik.
Në 2020 Krasniqi pritet të marrë pasaportën malejziane dhe prej atëherë mund të luajë për Malejzinë. Pas Kosovës dhe Shqipërisë, kjo është përfaqësuesja e tretë që mund të thërriste atë.
“Tashmë në Malejzi jam si një yll. Këtu jetoj si Ronaldo ose Mesi. Në fakt unë nuk jam Ronaldo, por në lifestyle po. Gjermania nuk lejon askënd të jetë një super yll. Pavarësisht se kush je ti,” tha më tej Krasniqi, duke na kujtuar thënien shqiptare, më mirë i pari në fshat sesa i fundit në qytet.
Gjithsesi, një ambasador i vlefshmë për kulturën shqiptare në vendin e largët aziatik./Foldrejt.com