Kopshti botanik mbretëror Kew (Kew Gardens), i hapur në Londër në vitin 1759, është shtëpia e specieve unike të bimëve dhe konsiderohet si kopshti botanik më i vjetër, më i madh dhe një nga kopshtet më të rëndësishme në botë.
Ndodhet në bregun jugor të lumit Temza midis Richmond dhe Kew. Arsyeja pse në emër qëndron “mbretëror” është sepse zona dikur ishte në pronësi të familjes mbretërore britanike, shkruan Anadolu, përcjell Fol Drejt.
Në ambientet e Kew Garden jetonte edhe Mbretëresha Mary I. e Anglisë. Mirëpo, në vitin 1759, me ngritjen dhe zhvillimin e “Kopshtit ekzotik”, dhurimi i bimëve nga koleksionistët dhe ndërtimi i objekteve të ndryshme, interesi i botanistëve britanikë për këtë zonë u rrit dhe u hodhën themelet e kopshtit të sotëm.
Një kompleks i mrekullueshëm i jetës bimore, luksoz dhe përrallor në shumë mënyra, ky kopsht botanik u përfshi në Listën e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s në vitin 2003.
Kopshti botanik u shpall Kopsht Botanik Kombëtar në vitin 1840 dhe sipërfaqja e tij, e cila fillimisht arrinte në 30 hektarë, me kalimin e kohës u rrit në 132 hektarë dhe në 330 hektarë me zonë të mbrojtur.
Shtëpitë e kopshtit përmbajnë koleksione botanike të shumë bimëve të gjalla, pastaj bimë të ruajtura dhe dokumente të shumta dhe të gjitha koleksionet janë pasuruar ndjeshëm gjatë shekujve. Koleksioni modern përmban më shumë se 30 mijë bimë të ndryshme.
Sot, kopshti botanik strehon dhjetëra serra dhe ndërtesa dhe vazhdon të shërbejë si një zonë kërkimore shkencore ku ruhen për llogari të njerëzimit speciet bimore që janë në prag të zhdukjes.
Përveç serrës, këtu mund të vizitoni kopshtin e jargavanit, kopshtin e bambusë, shtëpinë alpine, kopshtin shkëmbor, shtëpinë e bonsait, shtëpinë e palmave, kopshtin e trëndafilave, kopshtin e ujit, kopshtin e zambakëve të ujit, liqeni, kopshti me barishte zbukuruese, kopshti pyjor, kopshti i mbretëreshës, kopshti i dukës, kopshti japonez, kopshti mesdhetar dhe shumë më tepër.
Një nga vendet më mbresëlënëse në të gjithë kopshtin Kew është “Shtëpia e palmave” e cila u ndërtua midis vitit 1841 dhe 1849, një strukturë prej gize që strehon një shumëllojshmëri të gjerë të bimëve tropikale dhe palmave.
Një tjetër bimë e veçantë e kopshtit është “Pema më e vetmuar”, e cila është unike në botë. Pema, e cila mund të shihet sot në “Shtëpinë e Mesme”, mbërriti në kopshtin botanik në vitin 1899.
Kopshti botanik me famë botërore është fokusi jo vetëm i botës shkencore, por edhe i turistëve.
Në gjelbërimin e gjerë të parkut botanik ka hapësira për aktivitete të veçanta për fëmijë, hapësira koncertesh, kinemaje dhe ekspozitash./FolDrejt/