Zv.kryeministrii Bjellorusisë, Pyotr Parkhomchik, ka bërë të ditur se vendi i tij po kërkon alternativa ndaj rrugëve perëndimore të transportit për të furnizuar tregjet e huaja me produktet e saj të naftës dhe se portet veriperëndimore dhe jugore të Rusisë janë opsione të mundshme.
Në një intervistë me agjencinë shtetërore bjelloruse të lajmeve ‘BelTA’, zv.kryeministri bjellorus tha se Moska dhe Minsku tashmë kanë nënshkruar dy marrëveshje në lidhje me transportin dhe se marrëveshjet sigurojnë qasjen e kompanive bjelloruse në portet ruse, shkruan AA, transmeton Fol Drejt.
Parkhomchik tha se Bjellorusia u detyrua të ri-orientojë rrugët e saj të eksportit për shkak të “humbjes së tregjeve kryesore të eksportit”.
Eksportet më të mëdha të Bjellorusisë përfshijnë naftën dhe produktet e rafinuara të naftës, si dhe plehrat bujqësore, kamionët dhe traktorët.
Aleati i Moskës gjithashtu është përfshirë nga sanksionet perëndimore për goditjen e opozitës pas zgjedhjeve të diskutueshme presidenciale të vitit 2020, si dhe përfshirjen e saj të supozuar në luftën e Rusisë kundër Ukrainës që filloi në muajin shkurt.
Sanksionet ekonomike përfshijnë, ndër të tjera, një ndalim të furnizimit në Bjellorusi të pajisjeve të specializuara teknologjike, si dhe kufizime në eksportet e produkteve të naftës bjelloruse.