Turneu olimpik i basketbollit 2024 nuk do të luhet në Paris, por do të zhvendoset në Lille, konfirmoi të enjten presidenti i komitetit organizativ të Lojërave Olimpike Paris 2024, Tony Estanguet, pas një takimi me përfaqësuesit e Federatës Ndërkombëtare të Basketbollit (FIBA). .
“Kemi ende punë për të bërë së bashku me federatat ndërkombëtare. Jo çdo gjë është zgjidhur , por ne jemi shumë të sigurt në aftësinë tonë për t’iu përgjigjur të gjitha pyetjeve në muajt e ardhshëm”, u tha Estanguet gazetarëve gjatë një vizite në arenën sportive Pierre-Mauroy, e cila ndodhet në Villeneuve-d’Ascq.
Arena sportive multifunksionale është stadiumi i klubit të futbollit Lille, por mund të kthehet edhe në një sallë ku tashmë është luajtur basketboll dhe tenis, pra është vendi ku Kroacia fitoi titullin e Davis Cup.
“Ne duam të vijmë këtu me kusht që këto çështje të zgjidhen. Paris-2024 ka bërë shumë progres në muajt e fundit dhe ne mund të shohim dritën në fund të tunelit ”, tha Andreas Zagklis, Sekretari i Përgjithshëm i FIBA-s.
Disa tema, veçanërisht lidhur me klimatizimin e stadiumit në konfigurimin e basketbollit, nisën diskutimet brenda FIBA-s, e cila në dhjetor i dha një “dritë jeshile” të përkohshme organizimit të fazës së grupeve të turneut olimpik në Lille.
Fazat e grupeve të turneut të basketbollit për meshkuj dhe femra në Lojërat Olimpike 2024 do të zhvillohen në Pierre-Mauroy dhe fazat e eliminimit në Bercy të Parisit.
Fillimisht, etapat e para ishte menduar të mbaheshin në një nga sallat e Parc des Expos në Porte de Versailles në Paris, por kjo ide u braktis, sepse vendndodhja nuk u pëlqente disa basketbollistëve francezë.
Biletaria e Lojërave Olimpike 2024, si dhe faqja zyrtare e Lojërave, deklaruan se faza e grupeve do të zhvillohet në Lille.
Në Lille duhet të zhvillohen edhe fazat eliminatore të turneut të hendbollit, pasi faza e grupeve do të jetë në qendrën ekspozuese Porte de Versailles në Paris. /FolDrejt/