Me legalizimin e prodhimit të marijuanës nga qeveria tajlandeze, Tajlanda bëhet vendi i parë në Azi që legalizon marijuanën
Në Tajlandë lejohet kultivimi dhe posedimi i kanabisit, shkruan AA, transmeton Fol Drejt.
Me legalizimin e prodhimit të marijuanës nga qeveria tajlandeze, Tajlanda bëhet vendi i parë në Azi që legalizon marijuanën.
Ministria e Shëndetësisë së Tajlandës njoftoi se planifikon të shpërndajë 1 milion fidanë kanabis që nga nesër.
Zyrtarët qeveritarë thanë se promovojnë marijuanën vetëm për përdorim mjekësor, duke paralajmëruar se ata që e përdorin atë për përdorim rekreativ në publik mund të përballen me deri në 3 muaj burg dhe një gjobë prej 25 mijë baht Thai (780 dollarë).
Ministri i Shëndetësisë, Anutin Charnvirakul tha: “Ne duhet të dimë të përdorim kanabisin. Nëse kemi ndërgjegjësim, kanabisi është një gjë e çmuar si ari dhe duhet promovuar”.
Duke thënë se ministria do të marrë masa shtesë, Charnvirakul deklaroi se qeveria preferon të “ndërgjegjësojë” më mirë për këtë çështje, sesa të patrullojë dhe të përdorë ligjin për të kontrolluar dhe ndëshkuar njerëzit.
Ai theksoi se nëse sasia e tetrahidrokanabinolit (THC), përbërësi aktiv i kanabisit, është më shumë se 0.2 për qind, do të konsiderohet i paligjshëm.
Në Tajlandë, ku shitja e kanabisit nuk është më një krim, autoritetet shpresojnë se tregtia vendase e kanabisit do të kontribuojë në bujqësi dhe turizëm, por eksportimi i produkteve komerciale të kanabisit jashtë vendit është i ndaluar.
Qeveria planifikon të lirojë 4.000 persona nga burgjet për krime të lidhura me kanabisin.
Tajlanda u bë vendi i parë aziatik që legalizoi prodhimin dhe përdorimin e kanabisit medicinal në vitin 2020./FolDrejt/