Kryeministri i Polonisë, Morawiecki tha në një konferencë për media se vendi i tij tashmë ka reduktuar shumë varësinë nga nafta ruse.
Polonia do të ndërmarrë hapa për të ndërprerë të gjitha importet e naftës ruse deri në fund të vitit 2022, njoftoi sot kryeministri i vendit, Mateusz Morawiecki, shkruan AA, transmeton Fol Drejt.
Kryeministri i Polonisë deklaroi në një konferencë për media se vendi i tij tashmë ka reduktuar shumë varësinë nga nafta ruse.
Ai tha se Polonia po fillon planin më radikal midis vendeve evropiane për të hequr qafe energjinë ruse.
Polonia të martën tha se ndalon importet e qymyrit rus ndërsa Morawiecki tha se pret që importet e gazit të pezullohen deri në maj.
Varshava u ka bërë thirrje vendeve të tjera të Bashkimit Evropian që të reduktojnë varësinë nga importet e karburanteve nga Rusia. Polonia pretendon se paratë nga eksporti i naftës dhe gazit nisin “makinerinë ruse të luftës” dhe se ajo duhet të ndalojë.
Morawiecki i bëri thirrje Komisionit Evropian të vendosë një taksë për të gjitha hidrokarburet e importuara nga Rusia për ta bërë tregtinë “të drejtë”.
Polonia ka marrë disa hapa për të reduktuar varësinë e saj nga gazi rus. Një terminal i gazit të lëngshëm është ndërtuar në Swinoujscie dhe tani po zgjerohet, duke marrë dërgesa nga Katari, SHBA-ja, Norvegjia dhe eksportues të tjerë. Një tubacion i ri gazi baltik që sjell gaz nga Norvegjia duhet të hapet në fund të këtij viti./FolDrejt/