Ministri iranian i Naftës, Javad Owji tha se prodhimi i naftës bruto ka arritur nivelin para sanksioneve.
Ministri iranian i Naftës, Javad Owji njoftoi se prodhimi i naftës bruto të vendit të tij ka arritur në 3.8 milionë fuçi në ditë, shkruan AA, transmeton Fol Drejt.
Në një program në televizionin shtetëror, Owji tha se prodhimi i naftës bruto ka arritur nivelin para sanksioneve. “Jemi dëshmitarë që kapaciteti aktual i prodhimit të naftës në vend ka arritur në 3.8 milionë fuçi në ditë me masat efektive të marra në vendburimet e naftës tokësore dhe detare rindërtimin dhe modernizimin e puseve dhe objekteve të reja të naftës”, tha Owji.
Ai tha se prodhimi ditor nga fusha e gazit natyror të Parsit të Jugut në Gjirin Persik ka arritur në 705 milionë metra kub. Owji theksoi se ka pasur rënie serioze të eksporteve të naftës dhe gazit natyror vitin e kaluar, por ata janë të gatshëm të rrisin shifrat e tyre të eksportit këtë vit.
– Prodhimi i naftës i Iranit u reduktua nga sanksionet e njëanshme të ShBA-së
Sipas statistikave të Ministrisë iraniane të Naftës, Irani, i cili prodhonte 3.8 milionë fuçi naftë bruto dhe kondensatë në ditë në prill 2018 përpara se SHBA-ja të dilte nga marrëveshja bërthamore, eksportonte 2.8 milionë fuçi nga kjo sasi.
Në këtë proces, Irani reduktoi prodhimin e tij të naftës në më pak se 2 milionë fuçi në ditë pasi kishte vështirësi në shitje dhe sasia e naftës së eksportuar nga Irani ra nën një mesatare prej 500 mijë fuçi në ditë.
Me ardhjen në pushtet të administratës së presidentit Joe Biden në SHBA, Washingtoni dhe Teherani filluan bisedimet indirekte për t’u kthyer në marrëveshjen bërthamore përmes Bashkimit Evropian. Megjithëse sanksionet nuk janë hequr ende, ka pasur një rritje në prodhimin dhe eksportet e naftës së Iranit.
Në një fjalim të mbajtur më 13 janar, presidenti iranian, Ebrahim Raisi tha: “Eksportet e naftës u rritën me 40 për qind gjatë periudhës së qeverisë sonë. Paratë e marra nga këtu kthehen në vend”./FolDrejt/