I dërguari i posaçëm i BE-së për dialogun ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, Miroslav Lajçak, tha se BE-ja tani është më e gatshme për Ballkanin, ndoshta më shumë se sa është gati rajoni për këtë bllok, shkruan Klix, përcjell Fol Drejt.
Në një forum online të organizuar nga Instituti Italian për Studime Politike Ndërkombëtare, Lajçak tha se tani situata gjeopolitike ka ndryshuar dhe se roli i BE-së në Ballkanin Perëndimor është më strategjik dhe politik.
“Është shumë e rëndësishme që ne të përcjellim mesazhin se BE-ja tani është më e gatshme për Ballkanin, ndoshta më shumë se sa Ballkani është gati për BE-në, kështu që është jashtëzakonisht e rëndësishme të kuptojmë se dera tani është përsëri e hapur”, tha Lajçak në konferencën “Evropa dhe Rusia në frontin ballkanik”.
Kur është fjala për takimin e radhës me liderët e Serbisë dhe Kosovës në Ohër, Lajçak vlerësoi se “pranimi i propozimit evropian do të ishte mesazh pozitiv”, duke theksuar se tani duhet fokusuar në zbatimin e aneksit, i cili do të jetë kryefjala e bisedës të shtunën, më 18 mars.
“Që kur është pranuar marrëveshja, jemi fokusuar në aplikimin e aneksit, i cili është një element kyç, për të zbatuar marrëveshjen tani duhet të përcaktohet radha e hapave të mëtejshëm, si dhe afatet dhe kush duhet të bëjë çfarë”, tha Lajçak. /FolDrejt/