Përfaqësuesi i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak tha se BE dhe SHBA po punojnë bashkërisht sa i përket dialogut në Bruksel dhe mënyrës se si ai do të vazhdojë në të ardhmen.
Lajçak në fjalën e tij tha se vizita e tij bashkë me Escobarin është mesazh se BE e SHBA ndajnë të njëjtin mendim në lidhje me të ardhmen e rajonit.
“Jam në Prishtinë që të vazhdoj diskutime me kryeministrin dhe presidenten. Kjo është vizita ime e shtatë si përfaqësues i BE-së për dialog, por ne jemi këtu kësaj here së bashku me kolegun Escobar për të dhënë një mesazh shumë të qartë se BE dhe SHBA punojnë krahë për krah dhe ndajnë një vizion të njëjtë për Kosovën, për procesin e dialogut, për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, dhe për të ardhmen e rajonit”.
Diplomati sllovak tha se deri të mërkurën do të kenë një fotografi më të qartë të asaj se çfarë duhet të presim nga e ardhmja.
“Kjo ishte një mundësi e mirë për të diskutuar për planet tona për javët dhe muajt e ardhshëm dhe ne do të vazhdojmë bisedimet me presidenten dhe kryeministrin dhe do të qëndrojmë këtu deri të mërkurën dhe shpresoj të kemi një fotografi më të qartë të asaj se çfarë duhet të presim nga e ardhmja dhe se si duhet të ndërtohet procesi dhe shpresoj se do t’ju njoftoj më vonë për të gjitha këto”, tha Lajçak.