I dërguari i Posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, ka takuar sot këshilltarin e presidentit të Francës për dialog, Emmanuel Bonne.
Lajçak, përmes një postimi në Twitter, ka thënë se ndjehet shumë i lumtur për takimin me të dërguarin e presidentit francez në dialog.
“Shumë i lumtur që u takova me Emmanuel Bonne, këshilltarin kryesor diplomatik të Presidentit Macron, sot në Paris. Ne folëm për vizitën tonë të fundit në Prishtinë dhe Beograd, si dhe për zhvillimet aktuale dhe hapat e ardhshëm. Faleminderit Francës për mbështetjen e fortë në punën time”, ka shkruar Lajçak, transmeton Telegrafi.
Ndryshe, Lajçak, dhe këshilltarët e sapoemëruar të Gjermanisë dhe Francës për këtë dialog, Jenns Plettner dhe Emmanuel Beaune, javën që shkoi kanë vizituar Prishtinë dhe Beogradin ku kanë zhvilluar takime me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe presidentin serb Aleksandar Vuçiq.
Qëllimi i vizitës së diplomatëve evropianë ishte shqyrtimi i opsioneve për përparim në dialogun për normalizimin e raporteve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Më 4 shtator, presidenti i Francës, Emmanuel Macron, dhe kancelari i Gjermanisë, Olaf Scholz, emëruan këshilltarët që të ndihmojnë në dialogun që ndërmjetësohet nga BE-ja.
Në një letër dërguar Kurtit dhe Vuçiqit, Macron dhe Scholz thanë se normalizimi i raporteve mes Kosovës dhe Serbisë është thelbësor për Ballkanin Perëndimor.
Macron dhe Scholz, po ashtu, u bënë thirrje liderëve të Kosovës dhe Serbisë që të tregojnë vendosmëri dhe gatishmëri maksimale për të ndërmarrë vendime të vështira, të cilat, siç thanë ata, çojnë drejt përparimit të dialogut. /Telegrafi/