I dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, Miroslav Lajçak, ka bërë të ditur se në takimin e 2 majit në Bruksel, ku kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, do të takohen, temat kryesore do të jetë drafti i parë i statutit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe dhe çështja e personave të pagjetur.
Duke përmbledhur javën e kaluar, Lajçak tha se kjo është një kohë e përgatitjeve intensive dhe se, pas Ohrit, ky do të jetë takimi i parë i nivelit të lartë ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit.
“Ne presim që të dyja palët të vijnë në Bruksel të përgatitura mirë dhe plotësisht të përkushtuara në fazën e zbatimit”, tha Lajçak në një postim në Facebook, transmeton Fol Drejt.